Basha: Arsyet pse Rama ‘lufton’ për Lleshin ministër

basha-lulzim-720x473-1_1534265057-6266088.jpg

Për Partinë Demokratike, këmbëngulja e kryeministrit për emërimin e Sandër Lleshit në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, “konfirmon qëndrimin e opozitës se Rama e ka jetike kontrollin e plotë” të këtij institucioni.

Në një deklaratë te shpërndarë për mediat, PD thotë se në këtë mënyrë, Rama është vetë de facto ministër, duke sqaruar edhe përfitimet që ai merr.

“Edi Rama ka më shumë mjete për të mbrojtur Olsi Ramën, Vangjush Dakon, Taulant Ballën, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetaj dhe këdo tjetër anëtar të bandës së tij në pushtet”, shprehet PD-ja në deklaratë.

“Emërimi i figurës më të papërshtatshme për të drejtuar Ministrinë e Brendshme provon që Edi Ramës nuk i intereson lufta kundër krimit të organizuar, por mbrojtja e tij me çdo çmim”, theksohet më tej.

Partia e drejtuar nga Lulzim Basha, sjell në vëmendje emërimet e mëparshme në krye të Ministrisë së Brendshme, dhe thotë se të gjithë ministrat kanë bashkëpunuar me krimin duke ju bindur urdhrave të kryeministrit.

“Është fakt që deri më sot asnjë emërtesë e Edi Ramës në krye të Ministrisë së Brendshme nuk  e ka luftuar krimin e organizuar, por ka bashkëpunuar dhe e ka mbrojtur atë me porosi direkte të Edi Ramës.  Edi Rama nuk mund ta luftojë Edi Ramën, prandaj i duhet një kukull si Sandër Lleshi për të mbrojtur veten dhe për t’i siguruar  paprekshmëri krimit”, përfundon njoftimi për shtyp.

scroll to top