Basha ‘bëhet’ kryeministër e kryeprokuror: Qeveria ime…

Lideri demokrat Lulzim Basha paralajmëron destabilitet total në vend, duke i lidhur kontratat abuzive koncensionare të qeverisë, me të gjitha format e krimit. Tashmë kryedemokrati ka një emergjencë të re kombëtare – siç ai e quan – në momentin kur PD-ja të vijë në qeveri. Hapi i parë do të jetë krijimi i kuadrit ligjor kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar.

Do të nisë me një operacion i gjerë i paparë ndonjëherë në gjithë Shqipërinë -siç ai tha – për të zbuluar dhe ndëshkuar vjedhjet që i janë bërë pasurive publike, për të gjurmuar origjinën e parave të përdorura, dhe për të rikuperuar pasuritë e vjedhur nga buxheti i shtetit.

Duke folur si kryeministër vendit, në një realitet tjetër ku PD është ne qeveri, Basha duke u veshur edhe me ‘xhaketën’ e kryeprokurorit tha se do të hetojë pasurinë e të gjithë atyre që janë përfshirë në një mënyrë apo tjetër në këto koncesione. “Hetimi do të përfshijë pasurinë e të gjithë ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve të tanishëm”, theksoi ai.