Basha bën premtime nga Kukësi: Ja çdo bëj kur të zgjidhem Kryeministër

Kreu i PD-së Lulzim Basha teksa ka zhvilluar një vizitë në Kukës, ka premtuar se vendimi i parë i tij si kryeministër, është që do të heqë tarifën e ‘Rrugës së Kombit’.

Kjo nuk është hera e parë që Basha e artikulon heqjen e taksës, edhe pse refuzon që të japë detaje, lidhur me kostot që do të kishte prishja e marrëveshjeve me kompanitë kontraktore, të lidhura nga qeveria e Edi Ramës.

Basha ka ngritur me të rinjtë e Kukësit dhe shqetësimin për largimet e shumta të të rinjve jashtë vendit, ku tha më tej se rimëkëmbja e ekonomisë do ti jepte fund këtij fenomeni.

“Ditën e parë qeveria jonë do të heqë taksen për Rrugën e Kombit. Varfëria po e bën Kukësin dhe Shqipërinë të pajetueshme për të gjithë qytetarët dhe pa shpresë për të rinjtë.

Do të ringrejmë ekonominë dhe do te zhdukim fenomenin e largimit të rinisë.

Zhvillimi i ekonomisë i jep zgjidhje njëherë e përgjithmonë largimit të shqiptarëve”, është shprehur Basha nga Kukësi.

Duke u ndalur dhe njëherë te premtimet kur do të vijë në pushtet, kujtojmë se pak ditë më parë kreu i opozitës tha se në ditët e parë të tij si kryeministër, ai do të firmosë për zhbërjen e ligjit për arsimin e lartë.