Basha del urgjent në konferencë të jashtëzakonshme

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha pritet që në orën 11:00 të ketë një konferencë të jashtëzakonshme për mediat.

Nga selia e PD-së, mësohet se Basha do të artikulojë qëndrimin e opozitës lidhur me krizën politike në vend.

Burime nga PD bëjnë të ditur se kreu demokrat do të shpalosë nisjen e aksionit opozitar, pas dështimit të qeverisë lidhur me hapjen e negociatave, me qëllim largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend.

Një ditë më parë Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, vendi i të cilit ashtu si edhe Shqipëria, nuk mori një “PO” për hapjen e negociatave, deklaroi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në muajin prill, ndërsa në janar pritet krijimi i një qeverie teknike.

Ndërkohë që 3 ditë më parë, Basha u shpreh se 9 pikat që përfshihen në paketën e Bundestagut përbëjnë një udhërrëfyes për opozitën dhe daljen e vendit nga kriza.