Basha i jep zemër ‘Astirit’ me studentët: E patë si u bë Rama?!

bashaa.jpg

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka dashur t’i përcjellë shembullin e studentëve, banorëve të zonës së “Astirit” në kryeqytet, për mënyrën se si një protestë e vendosur mund të çojë drejt tërheqjes kryeministrin Edi Rama. Janë dy protesta për kauza të ndryshme, por finalja është e rëndësishme për kryedemokratin Basha: Tërheqja e qeverisë nga projektet të konsideruar sipas tij, megavjedhje. Edhe këtë mbrëmje, lideri i opozitës u gjend pranë banorëve të “Astirit”, të cilët ndodhen në ditën e 34 të protestës së tyre kundër qeverisë për projektin e ndërtimit të “Unazës së Madhe”. Ata kërkojnë dëmshpërblim me vlerë të plotë sipas çmimeve të tregut për shtëpitë e tyre që do të shemben për t’i hapur rrugë projektit. Problemi mbetet ende i pazgjidhshëm pasi shumica e shtëpive janë pa legalizim, ose në proces.

“Shikoni studentët. Për 48 orë e kanë futur Ramën poshtë minderit. E keni parë si është bërë apo jo?”, thotë Basha.

Studentët e universiteteve publike në Shqipëri janë ngritur në protestë kundër qeverisë, lidhur me taksat e larta vjetore, dhe veçanërisht edhe për një tarifë shtesë të vendosur për provimet e mbartura. Qeveria u tërhoq nga kjo tarifë, ndërsa si ministrja e Arsimit ashtu edhe Kryeministri Rama pas përshkallëzimit të protestës së studentëve, e cila duhet theksuar se gjeti mbështetjen e shumë figurave të njohura (jashtë politikës), pasi i quajtën “ngelësa”, kanë kërkuar të ulen në negociata me studentët.

Së fundmi, Basha nënvizoi se beteja e banorëve nuk ka mbaruar ende.

“Beteja nuk ka përfunduar. E vërteta triumfoi nga qëndresa e banorëve të ‘Unazës së Re’. Po të jemi të bashkuar, e sprapsim hajdutin e madh bashkë me hajdutët e tjerë”, thekson Basha në deklaratën e tij.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303