fbpx

Basha kujton 2 Korrikun: Pas 32 vitesh shqiptarët ende ikin, kohë për reflektim

lulzim-basha.jpg

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kujtuar sot 2 Korrikun 1990, hapjen e ambasadave të huaja në Tiranë. Në një shënim në rrjetet sociale, Basha shkruan se shqiptarët rrëzuan murin e diktaturës, në një akt guximi qytetar.

Ish-kryedemokrati thotë se në atë kohë sytë e shqiptarëve ishin drejt vendeve të lira, me shpresën e një jete më të mirë. Basha shton se fatkeqësisht 32 vite më vonë, qytetarët janë në të njëjtën situatë, që duan të ikin masivisht nga vendi.

Ish kryetari i PD, thekson se kjo ditë shërben si një moment reflektimi, për t’u përballur me të shkuarën që rrezikon të përsëritet.

Reagimi i plotë nga Lulzim Basha:

Më 2 Korrik 1990, duke u futur nëpër ambasadat perëndimore, shqiptarët rrëzuan murin e parë të diktaturës, në një sfidë vendimtare ndaj regjimit komunist, që atë verë do të niste fillimin e fundit të tij. Një akt guximi qytetar, që do të kristalizohej pak muaj më vonë me Lëvizjen Studentore, e cila çeli rrugën e demokracisë për aq gjatë të mohuar dhe afroi përsëri Shqipërinë me Perëndimin.

Atëbotë, sytë e çdo shqiptari ishin drejt vendeve të lira, me shpresën e një jete më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre, ashtu siç fatkeqësisht janë ende sot, sepse sfida për ta e ka ngritur Shqipërinë në lartësinë e aspiratës për ta bërë si gjithë Europa, e cila mbetet ende e papërmbushur.

Fatkeqësisht, 32 vite më vonë, shqiptarët po ikin sërish masivisht në kërkim të mundësive, të një jete më të mire për veten dhe familjet e tyre.

Në 8 vitet e fundit, më shumë se gjysmë milioni shqiptarë kanë lënë vatrat e tyre për të marrë rrugën e kurbetit. Ata detyrohen të ikin, sepse në atdheun e tyre ata vidhen, ata nëpërkëmben, ata s’kanë asnjë mundësi për të jetuar të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

Ndaj, përkujtimi i kësaj ngjarjeje historike, që pati forcën për ta përkulur regjimin komunist, shërben si një moment reflektimi, për t’u përballur me të shkuarën që rrezikon të përsëritet, sidomos përballë plagës së largimit të qindra-mijëra bashkëqytetarëve tanë, që tashmë nuk ikin prej diktaturës enveriste, por nga diktatura e korrupsionit, e cila nën qeverisjen e Edi Ramës ka marrë përmasat e një rreziku kombëtar.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303