Basha me studentët në Vlorë, jep zgjidhjet e PD për arsimin

Në turin e takimeve për protestën e 16 shkurtit, lideri i PD, Lulzim Basha po zhvillon një bashkëbisedim me studentë e pedagogë të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. Duke i ftuar ata në protestë, Basha shpalosi edhe platformën e tij për arsimin. Sipas tij, sapo PD-ja të vijë në pushtet do të marrë fund pjesa e militantizmit të arsimit.

Kryedemokrati Basha duke shpalosur problematikat ku ndodhet  sistemi arsimor në vend hodhi akuza të forta ndaj qeverisë, ndërsa ai premtoi para pedagogëve dhe studentëve se Partia Demokratike e ka zgjidhjen për të rritur besimin tek arsimi publik.

“Problemet kryesore të arsimit janë nënfinancimi dhe ky problem është rënduar pas 2015 me miratimin e Ligjit për Arsimin e Lartë. Kurrë s’na e ka marrë mendja se pas 28 vitesh do të vinim në një stad ku për t’u emëruar në arsim duhet të merren injorantë e njerëz me precedentë penalë veç se janë anëtarë të një sekti kriminal si “Rilindja”. Kjo tani është kthyer në rregull, çka ka shkatërruar cilësinë e mësimdhënies dhe besimin e prindërve tek arsimi publik”, tha Basha.