Basha nuk “ngopet” me Shullazin, kërkon edhe “3 koka” në qeli!

lulzim-basha.jpg

Partia Demokratike reagoi këtë mbrëmje për vendimin e Gjykatës për Krime të Rënda, dhënë ndaj bandës së Emiljano Shullazit. Për PD-në ky është një vendim i zbutur, pasi banda sipas saj, ka mbështetjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, PD thotë se banda e Shullazit u arrestua falë denoncimit të së djathtës, dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por e quan ende një betejë të pafituar plotësisht.

PD thotë se në dosje dhe i dënuar duhej të ishte edhe deputeti socialist Jurgis Çyrbja i cili ka dalë në përgjimet e prokurorisë si informator i bandës.

Sipas PD-së të dënuar duhet të jenë edhe vetë kryeministri Rama dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, për mbështetjen që sipas sja i kanë dhënë Emiljano Shullazit.

Në përfundim të deklaratës kreu demokrat Lulzim Basha kërcënon se Rama, Tahiri dhe Çyrbja do të kenë fatin e Shullazit.

Deklarata

Nëse Emiljano Shullazi dhe banda e tij, nuk do të kishin mbështetjen e Qeverisë së Edi Ramës, dënimi i bandës do të ishte sot shumë më i rëndë. Ata nuk do të ishin dënuar vetëm për gjobëvënie, por edhe për krime të tjera të rënda, që janë lënë pa zbuluar, pasi policia dhe drejtësia kanë mbyllur sytë.

Kjo bandë është autore e disa vrasjeve, e trafikut të drogës, shkatërrimit të pronës me eksploziv, grabitjes së pasurive të paluajtshme. Në vend të dënimit të merituar, Edi Rama i ka dhënë pushtet edhe në burg Emilano Shullazit për të emëruar deputetë, drejtues të institucioneve vendore  e qendrore.

Dënimi i bandës së Shullazit është një betejë ende e pafituar plotësisht

Prapa hekurave duhet të jenë edhe anëtari me pushtet politik i bandës, deputeti i PS Jurgis Çyrbja.

Përgjimet e prokurorisë faktojnë se deputeti Jurgis Çyrbja ishte një anëtar aktiv i bandës së Shullazit dhe informonte bandën për hetimet e prokurorisë.

Shqiptarët presin sot përgjigje nga prokuroria: kur do të arrestohet dhe të vihet përpara drejtësisë Jurgis Çyrbja, si anëtar i bandës së Emiljano Shullazit?

Po Edi Rama dhe Saimir Tahiri a do të hetohen dhe të vihen përpara përgjegjësisë për mbështetjen shtetërore që i kanë dhënë bandës së Emiljano Shullazit?

Drejtësia do të bëhet e plotë!

Edi Rama, Saimir Tahiri dhe Jurgis Çyrbja, shumë shpejt do të kenë fatin e Shullazit!

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303