Basha pi kafe me maturantët në Berat, flet edhe për provimet

104017722_3237306039653888_3964205070176408942_o.jpg

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka njoftuar se ka zhvilluar sot një takim me  me disa maturantë në Berat. Në një reagim në mediat sociale, Basha shkruan se me maturantët ka folur për  provimet e maturës dhe pengesat, ëndrrat e planet e tyre për të ardhmen.

“Kënaqësi të bisedoja dhe ndaja mendime me maturantët e Beratit për provimet e maturës dhe pengesat, ëndrrat e planet e tyre për të ardhmen. Maturantët më treguan vështirësitë me të cilat përballen, problematikat e mëdha që shoqëruan këtë vit, paqartësitë, pamundësia për të realizuar mësimin online e deri tek niveli i lartë i vështirësisë së provimeve. Shumë prej gjimnazistëve janë të paqartë për të ardhmen e tyre ndërsa vështirësitë ekonomike për të përballuar arsimin sa vijnë e shtohen. Qeveria Rama po e bën çdo ditë e më të pamundur për maturantët të vazhdojnë studimet e larta. Kjo situatë duhet dhe do të marrë fund. Me mua dhe PD asnjë nxënës nuk do të privohet nga e drejta për arsim për shkak të pamundësisë ekonomike.

Familjet e studentëve me të ardhura më pak se 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të përfitojnë subvencion 100% të tarifës. Familjet me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të paguajnë gjysmën e tarifës. Për studentët në pamundësi, buxheti i shtetit do të mundësojë bursa dhe mbështetje financiare. Ne do ta dyfishojmë buxhetin dhe do të anulojmë Ligjin e Arsimit të Lartë, do të ofrojmë stazhe për 10 mijë studentë çdo vit. Bashkë me të rinjtë e të rejat e këtij vendi do të ndërtojmë një qeverisje normale që ofron mundësi për arsim cilësor, punësim e nje jetë normale me mundësi dhe dinjitet për të gjithë.

Takimi vjen në një kohë kur maturantët janë ngritur në protestë një ditë pas provimit të Gjuhë-Letërsisë. Ata thonë se teza ishte shumë e vështirë dhe nuk kishte lidhje me shembujt për të cilët kishte njoftuar ministria e Arsimit. Ata gjithashtu janë shprehur se kërkojnë ose ulje të pikëve që llogariten për të hyrë në universitet, ose uljen e peshës së provimit të gjuhë-letërsisë në këtë llogaritje”, shkruan Basha.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303