Basha, takim me të rinjtë krutanë: Nuk ju premtoj dot universitetin, por…

Kryedemokrati Basha vijon takimet në qytete të ndryshme në kuadër të projektit “Rrugëtimi për Shqipërinë”.

Ai ndodhej sot në Krujë,  ku i premtoi të rinjve se 10 mijë studentë të cilët do të jenë më të mirët, do të marrin 1 vit stazh të paguar nga shteti.

“Deputetët e ardhshëm do të zgjidhen vetëm pas një konsultimi publik. E rëndësishme është që atë që kemi shkruar ta bëjmë realitet, pasi problemi në Shqipëri është se ligjet janë të mira, por nuk zbatohen kurrë. Po të zbatohen rregullat, zgjedhjet do të ishin bërë të lira. Ne propozojmë garë, konkurrencë, kushte të mira, barazi. Gjithkush do të ketë mundësi të ndërtojë jetën e tij më mirë në vendin e vet. Duhet të bëjmë dy gjëra, e para të sigurojmë që rinia të dalë nga cikli arsimor e përgatitur për t’u futur në tregun e punës, dhe e dyta duhet t’iu krijojmë treg pune.

1000-1200-2000 euro do ta bëjmë paga minimale në Shqipëri, por për të shkuar këtu duhet të përgatisim rininë. Nuk jam në gjendje të premtoj Universitetin e Krujës, por programi ynë parashikon financim të mundshëm, në mënyrë që asnjë krutan apo krutane të mos mbetet pa arsimin e lartë, për shkak se nuk kanë mundësi ekonomike. Në fund të shkollës, 10 mijë më të mirët do të marrim 1 vit stazh të paguar nga shteti dhe do synojmë të kapim deri në 90% punësim të të gjithë studentëve. Për ne prioritet numër një është arsimi i rinisë dhe punësimi i tyre”, deklaroi Basha.