Basha takim me Varhelyi, tregon strategjinë për zgjidhjen e krizës politike

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me komisionerin për Zgjerim të BE-së, Olivér Várhelyi, me të cilin ka diskutuar lidhur me zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.

Në një prononcim për mediat pas takimit, Basha theksoi se komisioneri për Zgjerim e ka prezantuar me strategjinë e tij,  dhe sipas tij kjo strategji mbështetet prej tij dhe opozitës së bashkuar.

“Më prezantoi me strategjinë që do paraqes ai, strategji që unë dhe opozita e bashkuar e mbështesim plotësisht. Prezantuam dhe gjetëm dakordësi të plotë se zgjidhja e krizës së rëndë politike në Shqipëri, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, dhe hapja e negociatave, janë dy objektiva madhore, në harmoni dhe përputhje të plotë me njëri-tjetrin.

Mirëprita ndihmën e BE, që mundësoi dialogun politik për Reformën Zgjedhore jashtë parlamentit ilegjitim, të dalë nga krimi i organizuar, si hap i parë për të çuar drejt zgjedhjeve të lira, ku të zgjedhin qytetarët. Pa ndodhur kjo, nuk do të ndodhë asgjë, që do të çojë vendin përpara. Ne jemi të vendosur t’i japim fund krizës politike dhe do bëjmë gjithçka”, -u shpreh Kreu i PD-së Lulzim Basha.