“Bashkuan për zgjedhje”/  Shqiptarët e Preshevës: Cakaj është kalama, Rama po na përdor për lojën e Vuçiç

Ditën e djeshme u prezantua si një arritje e jashtëzakonshme bashkimi i partive shqiptare të Luginës së Preshevës, në një koalicion të vetëm në zgjedhjet e ardhshme në Serbi. Lajmi u servir si një marrëveshje e jashtëzakonshme duke harruar se në takim nuk ishin gjithë krerët e partive shqiptare.

Por veç kësaj, njoftimi i djeshëm i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë ka një problem që u anashkalua. Opozita serbe në Beograd ka njoftuar se do të bojkotojë zgjedhjet parlamentare që mbahen në pranverë. Prej më shumë se një viti atje zhvillohen protestat dhe partitë opozitare pretendojnë se nuk hyjnë në një garë që nuk u jep siguri. Në kohën kur opozita zyrtare bojkoton, partisë së Aleksandar Vuçiç i nevojitet legjitimiteti i zgjedhjeve dhe në këtë moment duket se hyn në lojë minoriteti shqiptar në Serbi. Një skenar të tillë  e ka denoncuar sot në “Ora Neës”, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafa. Shqiptarët në Luginën e Preshevës nuk zënë vend të konsiderueshëm në Parlament, por dalja kundër opozitës serbe dhe thyerja e bojkotit mund të ketë pasoja të mëvonshme për ata.

“E kam takuar Cakajn më 25 dhjetor dhe e kam vënë në dijeni për qëndrimin e PDSH se në këto zgjedhje nuk mund të shkohet në parlamentin serb sepse vetë serbët, opozita serbe akoma nuk ka vendosur nëse do të futet apo jo në zgjedhje. Ky nxitim nga një Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, “një kalama” të nxitohet që të unifikojë, nuk është në rregull. Bashkim të vërtetë nuk ka pasur”,- tha Mustafa.

Kreu i PDSH-së në Preshevë thotë se Tirana nuk duhet të bëjë lojën që i intereson Vuçiç dhe të mos marrë parasysh zhvillimet që ndodhin në politikën serbe, pasi në këtë mënyrë dëmtohet interesi i shqiptarëve që jetojnë në këtë vend.