33.5 C
Tirana
E mërkurë, 17 Korrik, 2024

TË FUNDIT

BE i konsideron bisedimet e Brexit të vështira

spot_img

Bisedimet për ndryshimin e marrëveshjes rreth largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian ende po vijojnë por pa asnjë ndryshim deri tani, kanë thënë zyrtarët evropianë të mërkurën, një javë para se ligjvënësit britanikë të votojnë marrëveshjen e Brexit.

Diplomatët kanë thënë se bisedimet në Bruksel, të udhëhequra nga avokati i kryeministres britanike, Theresa May, Geoffrey Cox, kanë dështuar që të krijojnë një marrëveshje të re, derisa kanë mbetur pothuajse tre javë kur Britania pritet të largohet nga blloku evropian.

Në zemër të diskutimeve mbetet kufiri irlandez, dhe negociatat nëse duhet të ketë kufizime në kufirin mes Republikës së Irlandës dhe Irlandës Veriore.

Kryeministrja May tani kërkon më shumë kohë për të arritur një marrëveshje me BE për këtë çështje.

Negociatori i Bashkimit Evropian për Brexit, Michel Barnier ka thënë se “ndonëse bisedimet janë duke ndodhur në një atmosferë konstruktive, diskutimet kanë qenë të vështira”.

“Ende nuk është identifikuar ndonjë zgjidhje në këtë çështje”, ka thënë zëdhënësja, Margaritis Schinas.

Cox ka thënë të mërkurën se diskutimet në Bruksel kanë qenë të detajuara, mirëpo duhet të vazhdojnë ende.

“Mundësitë që të arrihet ndonjë marrëveshje janë të vogla”, ka thënë një zyrtar i BE-së, duke  shtuar se bisedimet do të vijojnë edhe gjatë fundjavës. Diplomatët evropianë kanë spekuluar se nëse negociatorët arrijnë të kenë një marrëveshje deri në fund të javës, May mund të shkojë në Bruksel për t’i dhënë mbështetje politike paktit dhe më pas atë pak ta dërgojë në Londër, një ditë para se Parlamenti Britanik të votojë për të.

Liderët e 28 vendeve të BE-së, përfshirë May do të vendosin më pas në samitin e mbajtur më 21-22 mars, nëse duhet të shtyjnë datën për Brexit, që fillimisht ishte caktuar më 29 mars të këtij viti.

Blloku evropian do të monitorojë veprimet e parlamentit britanik javën e ardhshme, mirëpo pak zyrtarë të BE-së besojnë se marrëveshja do të ratifikohet nga Parlamenti britanik, dy muaj pasi pakti i parë është refuzuar./real-news.tv/

spot_img

Latest Posts

spot_img

Më të lexuarat