fbpx

BE-ja i bën thirrje Kosovës të rishqyrtojë vendimin për reciprocitet ndaj Serbisë

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të rishqyrtojnë vendimin e marrë të shtunën e kaluar, për zgjerim të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Në vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës është thënë se mallrat që nuk posedojnë dokumente që i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues “Republika e Kosovës”, nuk do të lejohen të hyjnë në Kosovë. I pyetur nga Radio Evropa e Lirë për përgjigjen e bllokut evropian ndaj vendimeve të fundit të autoriteteve të Kosovës, Peter Stano, zëdhënës i shefit të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet e së kaluarës, që janë nënshkruar në kuadër të dialogut të Brukselit.

“Ky është një parim bazik për secilën marrëveshje në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe është një parim i krijuar nga fakti se Beogradi dhe Prishtina janë duke u ulur në tavolinën e negociatave si partnerë të barabartë dhe ajo për të cilën pajtohen duhet të zbatohet. Prandaj, nuk ka të bëjë asgjë me reciprocitetin. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës të rishqyrtojnë vendimin e marrë të shtunën e kaluar”, ka deklaruar Stano.

Sipas tij, vendimi i fundit i autoriteteve të Kosovës ka qenë veprim i njëanshëm, i cili si i tillë dëmton rikthimin e dialogut mes dy shteteve.

“Dialogu duhet të shkojë përpara. Status quo-ja është e papërballueshme. Dhe kjo është ajo që po synojmë me përpjekjet tona për të mundësuar rikthimin e bisedimeve. Mirëpo për rifillimin e tyre është përgjegjësi e këtyre shteteve. Nëse njëra palë apo tjetra merr hapa të njëanshëm, që nuk respektojnë pajtueshmërinë e marrëveshjeve të kaluara, atëherë vetëm dëmtohet mundësia e rifillimit të dialogut”, tha ai.

I pyetur se kur do të mund të niste dialogu Kosovë-Serbi, Stano ka thënë se, “ne jemi duke punuar për rikthim të dialogut, Mirëpo rifillimi nuk do të mund të jetë i mundshëm pa qenë të gatshme të dyja palët, dhe pa krijuar kushtet e duhura, sepse fundja, janë ato që duhet të thonë se janë të gatshme të ulen në tavolinë dhe të rikthejnë dialogun për të mirën e qytetarëve të tyre, të rajonit dhe gjetjes së një marrëveshjeje për normalizim të marrëdhënieve, sepse nga ajo varet e ardhmja e tyre evropiane”.

Një ditë pas bërjes publike të vendimeve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, për masat e reja të reciprocitetit, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe për çështje të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, është shprehur i zhgënjyer me këtë vendim.