BE përgatitet për Brexit pa marrëveshje

Komisioni Evropian i bëri të ditura sot në mëngjes përgatitjet për Brexit pa marrëveshje dhe i ftoi qytetarët dhe kompanitë që të informohen për të gjitha pasojat e mundshme nga ky skenar.

“Duke e pasur parasysh atë se gjithnjë e më e sigurt është se Mbretëria e Bashkuar do ta braktisë BE-në pa marrëveshje më 12 prill, Komisioni Evropian sot i përfundoi përgatitjet e saja për Brexit ‘pa marrëveshje’”, njoftoi zyra për shtyp e KE-së.

Shefat evropianë të shteteve dhe qeverive, javën e kaluar i dhanë dy afate kryeministres britanike Tereza May që të deklarohet për hapat e ardhshëm. Nëse ajo arrin të mbledhë shumicë në Parlament rreth marrëveshjes për tërheqje nga BE-ja deri më 29 mars, Brexit shtyhet deri më 22 maj. Në të kundërtën, shtyhet vetëm deri më 12 prill. Pasi afati është shumë i shkurtër, ndërsa kriza politike në Britani nuk ndalon, bëhet gjithnjë e më e sigurt se të gjitha palët duhet të përgatiten për Brexit pa marrëveshje, skenarin të cilin të paktën e dëshirojnë të dyja palët.

Konkretisht, Brexit pa marrëveshje do të thotë se Mbretëria e Bashkuar pas 12 prillit bëhet vendi i tretë dhe marrëdhëniet midis BE-së dhe Londrës do të zhvillohen në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe rregullat e Organizatës tregtare botërore.

Marrëveshja për tërheqje, gjegjësisht marrëveshja për Brexit, të cilën e hodhi poshtë Parlamenti britanik, ka pasur për qëllim pikërisht të vendos periudhë të tranzicionit, që braktisja e britanikëve të mos jetë brutale dhe të shmangen maksimalisht çdo lloj pasojash të padëshiruara të përgatitjes së pamjaftueshme./real-news.tv/