fbpx

BE pret që dialogu Kosovë-Serbi të rifillojë pas pandemisë

Bashkimi Evropian pret që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë menjëherë pas kalimit të pandemisë së COVID-19.

Peter Stano në cilësinë e zëdhënësit të Borrellit, në një përgjigje për RTV Dukagjinin ka thënë për të mbështetur dialogun BE ka emëruar emisar special.

“Koha, rendi i ditës dhe ritmi i dialogut përcaktohen nga dy palët dhe aftësia e tyre për t’u pajtuar. Bashkimi Evropian e lehtëson këtë dialog që nga viti 2011 dhe vazhdon të punojë përmes përfaqësuesit Joseph Borrell, i mbështetur tani edhe nga përfaqësuesi Special, Miroslav Lajçak për të mundësuar që dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës të rifillojë sa më shpejt të jetë e mundur, sapo kushtet e lidhura me pandemisë ta lejojnë atë dialog”, thuhet në përgjigjen e Stanos.

Pas deklaratave të BE-së, kryeministri në detyrë Albin Kurti thotë se janë të gatshëm për dialog.

“Ne kërkojmë që dialogu të jetë me parime dhe i organizuar mirë. ne jemi gati, kemi përvojë dhe do t’i mbrojmë interesat tona”, deklaroi Kurti.

Mirëpo qeveria duhet të ketë legjitimitet për të rifilluar dialogun, thonë nga shoqëria civile. “Pas mocionit të mosbesimit qeveria nuk ka legjitimitet. Deri në fitimin e këtij legjitimiteti asnjë qeveri nuk ka të drejtë ta përfaqësoj Kosovën në arenën ndërkombëtare”, deklaroi për RTV Dukagjinin Visar Xhambazi nga “Demokracia për Zhvillim”.

Negociatat janë ndërprerë nga nëntori i vitit 2018 kur Kosova kishte vendosur tarifa doganore për produktet me origjinë nga Serbia.