BE refuzon “ultimatumin” e Iranit për marrëveshjen bërthamore

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Iranit që të respektojë marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore si dhe kanë njoftuar se po ato synojnë të vazhdojnë marrëdhëniet tregtare me këtë shtet, pavarësisht sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.

Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini dhe ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, kanë thënë përmes një deklarate të përbashkët më 9 maj se ata ende përkrahin marrëveshjen e vitit 2015, mirëpo kanë kundërshtuar “ultimatumin” nga Teherani për ta mbajtur gjallë atë.

Më 8 maj, Teherani ka njoftuar se do të heqë dorë pjesërisht nga kjo marrëveshje derisa të gjendet ndonjë mënyrë për të anashkaluar sanksionet e reja të Uashingtonit.

“Ne refuzojmë çfarëdo ultimatumi dhe ne do të vëzhgojmë performancën e Iranit duke u bazuar në zotimet që ka dhënë në marrëveshjen bërthamore”, është thënë në deklaratën e Bashkimit Evropian.

Irani ka thënë se ky hap vjen si përgjigje ndaj sanksioneve të njëanshme që Uashingtoni i ka vënë këtij shteti prej kur SHBA-ja është tërhequr nga kjo marrëveshje një vit më parë.

Rivendosja e sanksioneve të SHBA-së ka dëmtuar rëndë ekonominë e Iranit. Fuqitë evropiane kanë thënë se e konsiderojnë “fatkeq vendimin për rivendosjen e sanksioneve” nga Shtetet e Bashkuara, mirëpo janë të vendosura për të mbajtur legjitime marrëveshjen me Iranin.

Përveç kësaj, ata i kanë kërkuar Iranit të zbatojë në tërësi marrëveshjen dhe të anashkalojë hapa përshkallëzues./real-news.tv/