Bebet në Shqipëri vdesin në maternitet për mungesë inkubatorësh

bes_tBnOoXL-600x400.jpg

Të dhënat zyrtare të siguruara nga BIRN dhe intervistat me mjekë dhe drejtues spitalesh tregojnë se maternitetet shqiptare kanë një mungesë të theksuar inkubatorësh dhe pajisjesh mjekësore të nevojshme për të trajtuar foshnjat e lindura para kohe – një situatë e rënduar prej vitesh që po rrit në mënyrë alarmante vdekshmërinë foshnjore.

Në një mbledhje rutinë mëngjesin e 11 janarit 2018 në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik ‘Koço Gliozheni’ në Tiranë, diskutimet u ndërprenë kur fjalën e mori një mjeke nga shërbimi i Neonatologjisë, e cila iu drejtua e shqetësuar ish drejtorit Arben Rugia.

“Nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë, po na vdes çdo ditë nga një fëmijë,” tha mjekja neonate, duke shtangur kolegët e saj. “Është e pamundur të punojmë në këtë situatë,” shtoi ajo, përpara se të ndërpritej nga Rugia, i cili e këshilloi që kjo bisedë nuk mund të bëhej në mbledhje.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se nga dita e Krishtlindjeve 2017 deri më 15 janar 2018, 11 foshnja të lindura ‘premature’ humbën jetën në këtë spital universitar. Në përgjigjen zyrtare, materniteti “Koço Gliozheni’ pranoi se gjysma e këtyre vdekjeve mund të ishin parandaluar, nëse spitalit nuk do t’i mungonin aparaturat e nevojshme mjekësore.

“Në më shumë se 50% të rasteve (që ndërruan jetë në fillim të janarit] bëhet fjalë për shtatzani shumë të vogla, për të cilat ne nuk kemi teknologji të përshtatshme për të siguruar mbijetesën,” tha spitali në një përgjigje me shkrim.

Në këtë maternitet ka një mungesë të theksuar inkubatorësh dhe shumica e inkubatorëve ekzistues janë jashtë funksionit. Pjesa e mbetur mund të përballojë vetëm gjysmën e pacientëve të vegjël që kanë nevojë për terapi intensive – një situatë e cila vazhdon prej vitesh, ndërkohë që Drejtoria e Spitalit dhe Ministria e Shëndetësisë kanë bërë një vesh shurdh dhe një sy qorr ndaj kërkesave të vazhdueshme të mjekëve.

Marrë me shkurtime nga BIRN

Linku i lajmit të plotë: https://www.reporter.al/bebet-vdesin-ne-maternitet-per-mungese-inkubatoresh/

scroll to top