“Bëmë gjënë e duhur”, ish-Sekretarja Albright rrëfen bombardimin e NATO-s mbi Serbi

Madeleine Albright, Sekretarja e Shtetit të SHBA gjatë kohës kur President ishte Bill Clinton, ka rrëfyer sot momentin kur kanë marrë vendimin për të bombarduar Serbinë në 1999. Në takimin e rrjetit më të madh të liderëve të rinj në Evropë, EDYN, Albright ka rrëfyer për herë të për momentin kur vendosi së bashku me Presidentin Clinton për ndërhyrjen ushtarake në mbrojtje të Kosovës.

Ish-sekretarja u shpreh se së bashku me Clinton mendojnë që kanë bërë gjënë e duhur, por ka treguar dhe momentin kur mori vesh se ishte bombarduar gabimisht dhe ambasada kineze.

“Ai më thirri dhe më tha se duhet të bëjmë diçka dhe unë mendova që po, duhet të bëjmë diçka shpejt. Por sekretari i shtetit mund të bëjë deklarata, por nuk ka aeroplanë në dorë. Kështu që ishte e rëndësishme të merrnim “Pentagonin” për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Gjatë gjithë kohës kam qenë në kontakt me “Pentagonin” në lidhje me këtë situatë, por pavarësisht lufta filloi.

Kur lufta filloi, ai më thirri mua në mes të natës dhe më pyeti nëse po bënim gjënë e duhur me lëshimin e avionëve për bombardimin e Serbisë. Unë i thashë “po zoti President ne po bëjmë gjënë e duhur”. Me kalimin e kohës gjithçka po shkonte keq. Kur u ktheva në zyrën time, asistentja ime më tha: Ulu! Çfarë nuk shkon me ty i thashë? Më tha: Thjesht ulu! Sapo kemi bombarduar ambasadën kineze gabimisht. Gjithçka po shkonte keq pra.

Kur erdha në Prishtinë pas luftës, ajo që pashë ishte e jashtëzakonshme. Kam takuar disa vajza të vogla 12-vjeçare, por ajo çfarë unë dua të them është se kur isha me Presidentin Clinton këtu në Kosovë, nuk kisha parë kurrë më parë një vend me aq shumë flamuj amerikanë dhe njerëz që thonin “Faleminderit SHBA, faleminderit SHBA”. Jam shumë e lumtur që vizituam shumë vende në Prishtinë, por një nga momentet më mbresëlënëse ishte kur shkuam dhe vizituam monumentin e presidentit Clinton në Prishtinë. Jam vërtet krenare për atë që bëmë, por tani gjithçka është në dorën tuaj. Dua t’ju them që demokracia është e vështirë, sepse Kosova ka çështje të ndryshme problematike. Demokracia nuk mbaron kurrë, kurrë nuk mund të themi që me demokracinë mbaruam, sepse është diçka me të cilën do të keni punë gjithmonë“, ishte ky rrëfimi i Madeleine Albright para të rinjve.