Berisha-Veliajt për inceneratorët: Bëhu gati, do përballesh me uragan protestash

dswas.png

Në një deklaratë për mediat pas shkarkimit të zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë një sërë paralajmërimesh për Edi Ramën, Ahmetajn, Veliajn e Agaçin.

Berisha e paralajmëroi kreun e qeverisë se nuk do të shpëtojë pa dhënë llogari para shqiptarëve për aferën e inceneratorëve por edhe afera të tjera. Kurse, Arben Ahmetajt, lideri i demokratëve i bëri thirrje që të mos tentojë të largohet “pasi më keq do të gjejë. Të njëjtën gjë Berisha paralajmëroi edhe për Engjëll Agaçin.

Berisha, duke iu drejtuar kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj paralajmëroi protesta shumë shpejt.

“Rama, edhe në ata satelitët që po porosit po të shkojë, në mënyrë absolute do të bëhet përgjegjës para shqiptarëve për këtë aferë e të tjera. Shko ku të duash dhe prapa diellit, Ahmetaj mos merr mundimin me u largu se do rëndohesh shumë. Vlen për Agacin.

Veliaj, bëhu gati se do përballesh me të gjithë forcën e protestës më të fuqishme që ka njohur Shqipëria, shumë shpejt. Mund ta trysnish SPAK-un, por uraganin gjigant të protestës shqiptare prite se po të vjen.”

Kritikat nuk munguan as për zëvendësuesen e Ahmetajt, Belinda Ballukun. Sipas Berishës, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka një meritë të vetme: “ndarjen e parave të vjedhura që kur punon në bashki me Edi Ramën gjer më sot.”

“Belinda Balluku është autorja, drejton ministrinë që ndërton rrugë me çmime të 10 apo 12-fishta në krahasim me standardin evropian. Ajo shpenzon në luksin e zyrë së saj 200 mijë euro. Po kjo është vetëm kafeja e Belinda Ballukut.

Në ministrinë e saj dhe ndërmarrjet që varen prej saj, i dëgjuat kërcënimet energjetike të Edi Ramës. Qytetarët duhet ta dinë se kanë bërë 60 shitje e blerje ditore, njësoj si zarfat për pensionistët e djegësave, edhe këta me tendera ditorë kanë bërë blerje 2 apo 3-fish më shumë se bursa. Vetëm që të ndajnë para me njëri-tjetrin. Nuk është e rastit që ikën një superhajdut dhe kthehet miss Hajnia në zëvendësimin e tij.”

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303