“Bisha” Muriqi nuk di të ndalet, shënon në fitoren e Fenerbahces

Vjen goli i radhës i Vedat Muriqit më ngjyrat e Fenerbahces në Superligën e Turqisë. Gjiganti kosovar, titullar i padiskutueshëm te skuadra e kryeqytetit Stamboll shënoi golin e dytë për të tijtë në fitoren 1-2 në fushën e Denizlispor.

Në minutën e 62-të, teksa miqtë udhëhiqnin 0-1 me gol të Cigerci (39’), shtatlarti “Dardan” bëri atë që di të bëjë më mirë, të shtyjë topin në rrjetë, shumë pranë zonës së portierit.

Vendësit mundën të ngushtonin diferencën në 1-2 me Estupinan në minutën e 73-të, por jo të shmangnin humbjen, që për ta ishte e katërta në 8 javë.

Për Vedat Muriqin ky ishte goli i katërt në Superligën Turke, ku në këtë fillim sezon i ka luajtur të gjitha ndeshjet (8).