Bizneset britanike të shqetësuara për Brexit

Pasiguria e vazhdueshme mbi Brexit ka shqetësuar bizneset në Mbretërinë e Bashkuar dhe i ka detyruar shumë prej tyre të ndërmarrin plane të shtrenjta emergjence.

Pesë grupet kryesore të biznesit në Mbretërinë e Bashkuar kritikuan politikanët e vendit të mërkurën, duke paralajmëruar se mungesa e përparimit në Brexit ka dëmtuar biznesin dhe ka shtuar rrezikun e daljes nga Bashkimi Europian pa marrëveshje.

“Bizneset kanë parë të shqetësuar se si politikanët janë përqendruar në mosmarrëveshjet fraksionore dhe jo hapat praktikë që i duhen bizneseve për të ecur përpara “, thanë grupet e biznesit në një deklaratë të rrallë të përbashkët.

Deklarata paralajmëroi se shumë firma “tani po vënë në vend planet emergjente, të paparashikuara, që janë një harxhim  i konsiderueshëm i kohës dhe i parave. Qindra e mijëra kompani të tjera mbeten të papërgatitura për një Brexit pa marrëveshje.

“Kjo nuk është ajo ku duhet të jemi,” thanë grupet, të cilat përfshijnë Dhomat Britanike të Tregtisë, Konfederatën e Industrisë Britanike dhe Federatën e Bizneseve të Vogla.

Kanë nbetur vetëm 100 ditë para se Britania të largohet nga Bashkimi Europian. Kryeministrja Theresa May i mbijetoi një mocioni të mosbesimit javën e kaluar, por marrëveshja e Brexit që ajo negocioi me Bashkimin Europian ende ballafaqohet me mosmarrëveshje të shumta në parlament pasi më shumë se një e treta e partisë së saj e kundërshtojnë atë.

Qeveria, dhe shumë biznese, kanë rritur përgatitjet e tyre për një Brexit pa marrëveshje.

Grupet e biznesit paralajmëruan se dalja nga Bashkimi Europian do të thotë kosto dhe tarifa të reja doganore “masive”./real-news.tv/

Lër një koment