Vijon bojkoti te Juridiku, të ngujuarit: Po kërcënohemi

Studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës që duan t’i rikthehen mësimit e kanë tani një zgjidhje.

Që nga dita e sotme ata mund t’i ndjekin leksionet pranë gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në orën 14:00.

Kjo është zgjidhja e gjetur nga Dekani i Fakulteti të Drejtësisë, Artan Hoxha i cili ka komunikuar përmes telefonit me ministren e Arsimit Besa Shahini, për të rënë dakord.

Nga ana tjetër ambientet e Fakultetit Juridik vazhdojnë të jenë të zëna nga një grup studentësh, të cliët kanë zgjedhur këtë formë ngujimi për plotësimin e kërkesave të tyre.

Në Fakulteti e Drejtësisë nuk kanë munguar as tensionet dhe përplasje mes grupeve të studentëve.

Nga ana tjetër studentët e ngujuar akuzojnë policinë se ka ndërhyrë me dhunë për t’i nxjerrë nga ambientet e fakultetit.

Ata po ashtu e cilësojnë si mos zgjidhje vazhdimin e mësimit nga pjesa tjetër e studentëve.

Ata shprehen se ndaj tyre vazhdojnë presionet dhe kërcënimet me telefon.

“Është fakt i vërtetuar se ne kërcënohemi në rrjetet sociale, por edhe me numra. Na akuzohen edhe familjet. Në orët e vona të natës na kërcënojnë në telefon, na thonë dilni nga ngujimi. Të vazhdosh mësimin tek Petro Nini nuk është zgjidhje, por mos zgjidhje. Gjimnazi nuk i ka kurrë kapacitetet e duhura, kësaj i thonë t’i shmangesh përgjegjësive”,- tha ai.

Gjetja e kësaj zgjidhje nga dekanati i Juridikut për studentin e ngujuar do të thotë që disa prej studentëve t’i shohësh me syrin e nënës dhe të tjerët me atë të njerkës.

“Ne do presim edhe qëndrimin e pedagogëve deri më 1 shkurt, pastaj do marrim masat tona”,- shtoi ai.