Boko Haram vret 30 persona në Nigeri

Shërbimet e emergjencës në Nigeri kanë njoftuar se janë vrarë 30 persona nga një shpërthim vetëvrasës në qytetin verilindor të Kondugas.

Raportohet se këto sulme janë kryer nga grupi famëkeq islamist “Boko Haram”.“Numri i personave të vdekur ka shkuar në 30. Janë më shumë se 40 njerëz të lënduar”, tha Usman Kachalla, drejtor i operacioneve në Agjencinë Shtetërore për Menaxhimin e Emergjencave.

Tre sulmues vetëvrasës i aktivizuan mjetet shpërthyese jashtë një salle në Konduga, 38 kilometra në juglindje të Bornos, ku tifozët e futbollit ishin duke e shikuar një ndeshje të kësaj loje në televizor.

Grupi xhihadist “Boko Haram” i filloi sulmet e përgjakshme në Nigeri në vitin 2009, por që nga ajo kohë ka kryer sulme edhe në Niger, Çad dhe Kamerun. Më shumë se 27 mijë njerëz janë vrarë dhe dy milionë të tjerë janë detyruar të zhvendosen nga vendbanimet e tyre për shkak të këtyre sulmeve, duke e krijuar një krizë humanitare në rajon.

Koordinatori kundër terrorizmit i Shteteve të Bashkuara, Nathan Sales, tha se grupi “Boko Haram” është përgjegjës për më shumë se 35 mijë vdekje që nga viti 2011.

Ky grup e ka sulmuar qytetin e Kondugas edhe në të kaluarën. Në shkurt të vitit 2018, 18 persona u vranë pas sulmit vetëvrasës në një dyqan mishi. Ndërkaq, në korrik të vitit të kaluar, tetë besimtarë myslimanë u vranë nga shpërthimi në një xhami të këtij qyteti./real-news.tv/