Bolton, i gatshëm të dëshmojë në gjykimin e Trumpit

Ish-këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, është shprehur se është i gatshëm të dëshmojë në gjykimin e presidentit amerikan, Donald Trump, në Senat.

“Kam konstatuar se, nëse Senati lëshon thirrje për dëshminë time, unë jam i përgatitur të dëshmoj”, tha të hënën Bolton.

Më herët, ai ka vepruar në përputhje me udhëzimet e Shtëpisë së Bardhë për të mos bashkëpunuar me hetimet që po udhëheqin demokratët kundër presidentit Trump.

Nëse lejohet, Bolton do të ishte ish-këshilltari më i lartë i Trumpit që do të dëshmonte.

Trump, republikan, është fajësuar muajin e kaluar nga Dhoma e Përfaqësuesve – e cila udhëhiqet nga demokratët – për dy akuza: shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit.

Gjykimi i tij kalon tani në Senat.

Nëse Senati e shpall fajtor – gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët – Trump do të shkarkohej nga detyra.

Gjykimi në Senat nis kur demokratët t’i paraqesin formalisht akuzat atje dhe ata nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë.

Deri më tash, Senati u ka rezistuar kërkesave të demokratëve që në gjykim të paraqiten edhe dëshmitarët.

Njoftimi i Boltonit mund të rrisë presionin mbi udhëheqësin republikan të Senatit, Mitch McConnell, për të lejuar dëshmitë.

Për çfarë akuzohet Trump?

Trump akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e vitit 2020, dhe djalin e tij Hunter.

Hunter ka punuar për një kompani ukrainase, kur Joe Biden ka qenë nënpresident i SHBA-së.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.

Trump akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.