Bolton: Uashingtoni do të shohë një Brexit të suksesshëm

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton u ka thënë zyrtarëve britanikë në Londër se administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dëshiron të shohë një dalje të suksesshme të Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe të jetë bashkëpunuese në procesin e Brexitit dhe se është e gatshme të hartojë një marrëveshje për tregti mes SHBA-së dhe Britanisë.

Bolton, i cili ndodhet në Londër për dy ditë bisedime me zyrtarët britanikë, po kërkon përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me Kryeministrin Boris Johnson pas tensioneve të herë pas hershme me ish kryeministren Theresa May.

“Ne duam të ndihmojmë për Brexit”, ka thënë Bolton para gazetarëve në Londër, pas një takimi me zyrtarë të lartë nga zyra e kryeministrit britanik, Boris Johnson.

Ai ka thënë se zyrtarët britanikë kanë theksuar se Britania është e gatshme të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor.

Ai po ashtu ka thënë se SHBA-ja do ta mbështeste me entuziazëm një Brexit pa marrëveshje, nëse qeveria Britanike merr vendim të tillë.

Kryeministri i ri britanik, Boris Johnson ka thënë se do ta largojë Britaninë në këtë datë me apo pa marrëveshje nga blloku evropian.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.