Borell zhvilloi bisedë telefonike me Thaçin, Kurtin dhe Vuçiç

borell-2.jpg

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka diskutuar me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë lidhur me vendimin për të emëruar një Përfaqësues të Posaçëm të BE-së për Dialogun dhe Ballkanin Perëndimor.

“Përfaqësuesi i Lartë nënvizoi se ky emërim pasqyron rëndësinë që BE-ja dhe ai personalisht i kushtojnë stabilizimit të rajonit dhe përparimit në rrugën drejt BE-së. Josep Borrell kujtoi se ai mbetet personalisht i angazhuar dhe i përkushtuar fuqimisht për të mbështetur perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe për të luajtur rolin e tij si lehtësues i dialogut Beograd-Prishtinë’, thuhet në një komunikatë nga zyra e Borell.

Aty theksohet se gjatë bisedës telefonike me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrin Albin Kurti, si dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përfaqësuesi i lartë i BE-së, ka përditësuar diskutimin që ka pasur me udhëheqësit, gjatë vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd, në muajin janar.

Në Beograd, Borell kishte thënë se BE-ja duhet të angazhohet më shumë në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018 kur Kosova u ka vënë taksë 100 për qind importeve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Serbia e ka kushtëzuar rikthimin në dialog me heqjen e taksës, por Kosova përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar vazhdon ta mbajë në fuqi këtë masë.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303