Boris Johnson shkakton paqartësi dhe kaos në lidhje me Brexit

boris-2-4.jpg

Duket se zgjedhje e kryeministrit të ri në Mbretërinë e Bashkuar ka shtuar edhe më shumë paqartësinë se si do të shkojë procesi i daljes nga BE.

Qëndrimi i kryeministrit të ri, Boris Johnson, në lidhje me Brexit  ka shkaktuar pakënaqësi. Jo vetëm Skocia, por edhe Uellsi dhe Irlanda e Veriut i konsiderojnë shumë të rrezikshme planet e Johnson për Brexit.

Johnson aktualisht po propagandon projektin e tij në një udhëtim nëpër rajone të ndryshme.

Nacionalistët e Irlandës së Veriut tani po mendojnë gjithnjë e më shumë për ribashkimin me Republikën e Irlandës, siç e bëri të qartë udhëheqësja e Sinn Fein-it, Mary Lou McDonald. Rruga për t’u rikthyer në BE për Veriun është shumë qartë ribashkimi irlandez, tha ajo.

Telefonata e parë e Johnsonit me kryeministrin irlandez Leo Varadkar gjithashtu nuk solli afrim të pozicioneve. Mbetet e paqartë se si do të zgjidhet në të ardhmen çështja e kufirit midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Varadkari hodhi poshtë kërkesën e Johnsonit për të anuluar të ashtuquajturën “klauzolë prapavijë” në Marrëveshjen e Brexit. Kjo klauzolë garancie ka për qëllim të parandalojë një kufi të fortë me kontrolle midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.

Johnson u përpoq të fajësojë BE për kaosin aktual rreth Brexitit. “Nëse ata nuk janë në gjendje të bëjnë kompromis, nëse me të vërtetë nuk munden ta bëjnë këtë, atëherë sigurisht që duhet të përgatitemi për një Brexit pa marrëveshje”, tha ai.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian ka deklaruar se nuk do tëri-negociohet marrëveshja e arritur me ish-kryeministren e Britanisë, Theresa May.

Kujtojmë se marrëveshja e May u rrëzua tri herë nga parlamenti britanik. Për këtë arsye, Johnson nuk dëshiron të rrezikojë duke hedhur  për votim në parlament të njëjtën marrëveshje./real-news.tv/

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303