Brexit në kaos, Juncker: Po humbasim durimin me Britaninë

brexit2.jpg

Bashkimi Evropian po e humbet durimin me Britaninë e Madhe rreth Brexit.

Kështu ka deklaruar Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Në një intervistë për televizionin shtetëror italian, Juncker ka thënë se do të donte që deputetët britanikë të mund të arrinin marrëveshje për lëvizje përpara në procesin e shkëputjes nga blloku.

“Kemi treguar shumë durim me miqtë tanë britanikë, por durimit tonë po i vjen fundi”, ka thënë ai për RAI.

Presidenti i Komisionit ka shtuar: “E dinim që më parë se parlamenti britanik do të thoshte jo, por nuk e dimë as për çfarë mund të thotë, po”.

Rreth mundësisë së mbajtjes së një referendumi të dytë, Juncker ka theksuar se gjithçka varet ekskluzivisht nga qytetarët britanikë.

Ditët e fundit, britanikët kanë protestuar kundër daljes nga BE.

Ndërsa një peticion i nënshkruar online ka arritur mbi 6 milionë firma kundër Brexit.

Nga ana tjetër, kryeministrja May po mendon të kthejë sërish marrëveshjen e Brexit në parlamentin britanik, pasi u refuzua tre herë nga ligjvënësit.

Kryetari i Partisë Laburiste Jeremy Corbyn i ka kërkuar kryeministres të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugën mbajtjes së zgjedhjeve.

Parlamenti do të përpiqet sërish të marrë nën kontroll procesin e Brexit. Disa deputetë po i kërkojnë May të heqë dorë nga marrëveshja e saj dhe të krijojë marrëdhënie të ngushta ekonomike me vendet e BE-së./real-news.tv/

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303