Britania fillon imunizimin me vaksinën Oxford/Astrazeneca

Screenshot_77.jpg

Britania filloi sot vaksinimin e popullsisë së saj me vaksinën e prodhuar nga Universiteti i Oksfordit dhe kompania AstraZeneca, duke filluar me të moshuarit dhe personat më në rrezik, ndërsa një rritje e re e rasteve me Covid-19 kërcënon të mbingarkojë spitalet.

Britania e quajti një “triumf” shkencor administrimin e vaksinës së AstraZeneca-s sot tek 82 vjeçari Brian Pinker, pacient me dializë, që u bë personi i parë që mori vaksinën pas provave klinike.

“Jam shumë i kënaqur që po marr vaksinën për COVID-19 sot dhe jam me të vërtetë krenar që ajo është krijuar nga Oksfordi,” tha zoti Pinker pas marrjes së vaksinës vetëm disa qindra metra larg vendit ku ajo u krijua.

Më pak se një muaj më parë Britania u bë vendi i parë që filloi përdorimin e vaksinës së zhvilluar nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.

E gjashta në botë për nga numri i vdekjeve me Covid-19 dhe një nga vendet më të goditura nga kriza ekonomike që ka shkaktuar pandemia, Britania po përballet me një shtim të rasteve të reja ditore të nxitura nga një variant i ri i virusit.

Megjithë shqetësimin e shprehur nga disa mjekë dhe shkencëtarë, Londra po i jep përparësi dhënies së dozës së parë të një vaksine tek sa më shumë njerëz që të jetë e mundur, duke mos pritur për të siguruar dozat e dyta.

Shfaqja e një varianti të ri të koronavirusit po e komplikon përgjigjen ndaj COVID-19 dhe mund të detyrojnë vendosjen e kufizimeve të reja kombëtare.

Duke vizituar sot një spital të Londrës, kryeministri Boris Johnson tha se kufizimet e reja ishin të pashmangshme.

“Nëse shikoni shifrat, nuk ka dyshim që do të duhet të marrim masa më të ashpra. Ne do t’i shpallim ato në kohën e duhur,” tha kryeministri Johnson.

Qeveria britanike ka siguruar 100 milionë doza të vaksinës Oxford / AstraZeneca të cilat mund të ruhen në temperatura nga dy deri në tetë grade Celsius.

Vaksina e krijuar nga AstraZeneca dhe universiteti i Oksfordit shihet si veçanërisht e rëndësishme për të luftuar pandeminë në botën në zhvillim, pasi është më e lirë dhe më e lehtë për t’u shpërndarë.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303