Britney Spears mund të mos i kthehet më skenës muzikore

Ylli i muzikës pop, Britney Spears mund të mos i kthehet më kurrë skenës muzikore, ka bërë të ditur menaxheri i saj Larry Rudolph.

Siç shkruan TMZ, këngëtarja nuk është në gjendje mendore apo fizike për të rifilluar performancat, disa prej të cilave në Vegas ishin të parashikuara të nisnin gjatë muajit shkurt.

”Si person që udhëheq karrierën e saj, bazuar në informacionin që unë dhe të gjithë profesionistët që punojnë me të, është e qartë se ajo nuk duhet të kthehet në muzikë, jo në të ardhmen e afërt por ndoshta kurrë më”, është shprehur Rudolph.

Ai ka më shumë se dy dekada që punon me artisten duke përfaqësuar karrierën e saj nga viti 1998 në 2004 dhe nga viti 2008 e tutje.

Performanca e Spears në Las Vegas ishte planifikuar të kishte premierën në 13 shkurt, me 32 shfaqje të planifikuara deri më 17 gusht.

Shfaqjet u shtynë në janar pasi këngëtarja u përball me probleme të shëndetit mendor duke u shtruar në spital psikiatrik dhe tani po përpiqet të marrë veten./real-news.tv/