Bujar Leskajt i mbaron mandati, ja kush e zë vendin e tij

leskaj.jpg

Kryetari KLSH-së, Bujar Leskaj ka përfunduar mandatin kushtetues si kryetar i KLSH. Kompetencat e tij do t’i marrë zv/Kryetarja Lindita Milo.

Në datën 8 janar 2019, pas botimit në Fletoren Zyrtare të RSH me nr.193, hyri në fuqi Vendimi i Kryetarit të KLSH me nr. 244, datë 22.12.2018, sipas të cilit delegohet ushtrimi i detyrës dhe përgjegjësive shtetërore të titullarit të institucionit përgjatë fazës kalimtare e tranzitore nga përfundimi i mandatit kushtetues të Kryetarit të KLSH (datë 23 dhjetor 2018) deri në emërimin nga ana e Kuvendit të Shqipërisë të Kryetarit të ri të KLSH-së, tek Zv/Kryetari i KLSH, znj. Lindita Milo (Lati).

“Javën e fundit të dhjetorit në takime të veçanta, Kryetari i KLSH-së, Leskaj informoi për Vendimin e delegimit të kompetencave tek Zv/Kryetari i KLSH, znj. Lindita Milo, Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, zv/Kryetarin e Kuvendit, Kryetarët e Partive opozitare dhe Kryetarët e Grupeve Parlamentare, si edhe Kryetarin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë dhe pas realizimit të takimeve zyrtare, në datën 31 dhjetor 2018 përcolli vendimin tek Qëndra e Publikimeve Zyrtare. Vendimi hyri në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare në datën 8 janar 2019”, thuhet në njoftimin e KLSH.

Lindita Milo (Lati), aktualisht Zv/Kryetare dhe Drejtore e Përgjithshme në Kontrollin e Lartë të Shtetit ka përfunduar studimet universitare në profilin Financë- kontabilitet, mban titullin shkencor “Profesor” si dhe gradën shkencore “Doktor” në Kontabilitet (1996) nga Universiteti i Tiranës dhe Ph.D. në Ekonomiks (2001) nga “Staffordshire University”, Britania e Madhe./real-news.tv/

scroll to top