“Bularati”, Idrizi kërkon të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare

Pas ngjarjeve të ndodhura dje në Bularat ka reaguar sot edhe kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi.

Nëpërmjet një dalje për mediat Idrizi ka apeluar për që presidenti Meta të thërrasë këshillin e Sigurisë Kombëtare, pasi dje në Bularat shteti pushoi së ekzistuari.

“Në këto kushte PDIU dhe shoqata Çamëria kërkojmë me forcë të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të vënë në alarm institucionet e sigurisë kombëtare, SHISH, SHIU, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, por dhe për çështjen e financimeve greke për një pjesë të mediave dhe bizneseve.

Është e papranueshme dhe indinjuese për çdo shqiptar të shohim rënien e shtetit shqiptar në jugun e Shqipërisë. Ngjarje të tilla shqiptarët i kanë parë në vitin 1914, 1940 dhe në vitin 1997 por kurrë ne nuk mund ti pranojmë ti shohim të përsëritura në vitin 2018. I drejtohem shtetit shqiptar me forcë. Nëse nuk e vendosni dot me forcë autoritetin e shtetit për garantimin e integritetit territorial të Shqipërisë, detyrë që rrjedh nga Kushtetuta, na e thoni se do e mbrojmë ne vete shqiptarët”, tha Idrizi.

Lër një koment