Burg hajdutëve të policisë!

Gjykata e Durrësit vendosi masën arrest me burg pa afat, për dy të rinjtë e akuzuar për vjedhjen e zyrës së gjobave të qarkullimit rrugor në policinë e Durrësit.

Gjyqtari Rexhep Bekteshi e vleftësoi si të ligjshëm arrestimin e dy të rinjve, Xhani Ymeri 30 vjeç, i dënuar më parë për “vjedhje”; dhe Ekilian Bibi 27 vjeç, të dy banues në Durrës, dhe vendosi masën e sigurisë arrest në burg për të dy.

Të dy në bashkëpunim akuzohen nga organi i akuzës si autorë të një sërë vjedhjesh në qarkun e Durrësit, ndërkohë që arrestimi i tyre u bë të shtunën disa orë pas vjedhjes së zyrës ku paguhen gjobat në komisariatin e policisë Durrës. Zyrtarisht policia vendore deklaroi se nga kjo zyrë ishin vjedhur 20 mijë lekë.

Dy të arrestuarit akuzohen gjithashtu dhe për 2 vjedhje të tjera, të kryera gjatë fundit të muajit të kaluar dhe të dokumentuara me prova shkencore. Mes akteve kriminale të kryera kundër pasurisë është dhe vjedhja me thyerje e repartit të imazherisë në Spitalin Pediatrik Durrës, si dhe një banese. Të treja vjedhjet janë kryer në lagjen nr.8 të qytetit pranë spitalit dhe drejtorisë së policisë.

Gjatë arrestimit atyre iu sekuestruan një pjesë e pajisjeve të vjedhura në pediatrinë e Durrësit, si dhe dyert e dritare duralumin të vjedhura në banesën e një qytetareje. Pas grabitjes dhe dëmtimit të serverit të prokurorisë së Durrësit, grabitja e një zyre policie, ku arkëtohen gjobat e qarkullimit rrugor, është një tjetër goditje e rëndë për organet më të rëndësishme ekzekutive të shtetit në këtë qytet, shkruan TopChannel.

Në të dyja rastet, policia deklaroi se kapi autorët e dyshuar të ngjarjeve, po ende kanë mbetur të pazbardhura sulmet e këtyre dy organeve të rëndësishme shtetërore nga të arrestuarit, të cilët nuk i kanë pranuar ato.

Lër një koment