fbpx

Burim infektimi, Ministria e Shëndetësisë apelon: Jo në dasma dhe ceremoni mortore

Duke marrë shkak nga fakti se kohët e fundit janë rritur ndjeshëm rastet me koronavirusi pasi kanë marrë pjesë në dasma apo varrime, Ministria e Shëndetësisë ka bërë apel për ndalimin e grumbullimeve në ceremoni festive apo mortore, duke i cilësuar burim të përhapjes së infeksionit.

Ajo rikujton edhe thirrjen për mbajtjen e maskës në ambientet e mbyllura si dhe respektimin e distancës dhe rregullave të higjienës.

“Nisur nga fakti se janë vënë re raste të shtuara që lidhen me grumbullime në ceremoni festive apo mortore, rikujtojmë qytetarët se ndalohen të gjitha grumbullimet pasi janë burim i përhapjes së infeksionit, duke vënë në rrezik shëndetin tuaj dhe të afërmve tuaj.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon edhe një herë për më shumë kujdes për respektimin e rregullave të higjienës, vendosjes së detyrueshme të maskës në ambientet e mbyllura dhe respektimit të distancimit fizik”, thuhet në njoftimin e MSH.