Burri vret ish-gruan,vjehrrën dhe kunatën në sy të dy fëmijëve

Një burrë është arrestuar në Spanjë pasi ka rrëfyer se ka vrarë ish-gruan e tij, vjehrrën dhe kunatën para dy fëmijëve të çiftit.

Vrasjet ndodhën ndërsa fëmijët, nga katër dhe shtatë vjeç, po përgatiteshin për të shkuar në shkollë të hënën në mëngjes.

45-vjeçari thirri policinë pasi u largua nga skena në Valga, në Spanjën veriperëndimore dhe u dorëzua në polici.

Policia njoftoi se nuk kishte pasur ankesa paraprake për dhunë ndaj viktimave. Çifti ishte divorcuar vitin e kaluar.

Mediat lokale raportuan se José Luis Abet Lafuente kohët e fundit i kishte dërguar mesazhe ish-gruas së tij duke e akuzuar atë se nuk e lejonte të takonte dy fëmijët.

“Kërkove divorcin dhe tani nuk më lejon të shoh fëmijët,” shkroi ai në një postim në Facebook, raportoi gazeta spanjolle El Mundo.

Kryeministri i Spanjës Pedro Sánchez tha se ishte një tragjedi “e tmerrshme”, duke përshkruar vdekjet si “dhunë gjinore”. “Ne nuk do të ndalemi derisa vrasja e grave të marrë fund,” shkroi ai në Twitter.