Bushati ngre alarmin: Greqia skenar ogurzi për ‘detin’, do na çojë në vdekje…

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e ka cilësuar “të vdekur” marrëveshjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në një intervistë për emisionin “31 Minuta”, ish-ministri Bushati është shprehur se të dyja palët synuan të ndërtonin një proces të ri që të çonte drejt një marrëveshjeje më të drejtë, të bazuar mbi legjislacionin ndërkombëtar dhe mbi konventën e detit.

“Natyrisht që për ne është një marrëveshje e vdekur, përsa kohë ka një vendim të qartë të Gjykatës Kushtetuese. Fakti që jemi ulur në tryezë me palën greke, që ka pasur një plotfuqishmëri të lëshuar nga institucionet shtetërore për të rifilluar procesin e negociatave me Greqinë, do të thotë që është e vdekur dhe për Greqinë. Ne kemi synuar që të ndërtojmë një proces të ri që do të na çonte eventualisht drejt një marrëveshje më të drejtë për të dyja palët.

Marrëveshje më të drejte që do të bazohej mbi legjislacionin ndërkombëtar, mbi konventën e detit dhe do të respektonte detyrimet kushtetuese dhe ekzigjencat që kanë palët në këtë proces. Kur nisëm për të diskutuar dhe për të eksploruar mundësinë e një marrëveshje përsa i përket hapësirave detare, shefit kontinental dhe zonës ekskluzive ekonomike, palët nuk kanë parasysh vetëm arritjen e një marrëveshje të drejtë por edhe vendosjen e një precedenti që mund ti shërbejë në negocime të mëvonshme. Mendoj që edhe në këtë pikë është bërë një punë goxha voluminoze nga të dyja palët dhe nuk shoh arsye për tu kthyer mbrapsht, përveçse për të konkretizuar këtë proces që ka nisur”, ka thënë Bushati.

Më tej, Ditmir Bushati ka dhënë alarmin nëse qeveria aktuale greke do ta çonte për ratifikim marrëveshjen ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë në parlamentin grek, duke deklaruar se ky është një skenar ogurzi.

“Ky do të ishte një skenar ogurzi që do ta çonte procesin në pikën e vdekjes. Mendoj që për dy fqinj, për dy aktorë rajonalë siç janë Shqipëria dhe Greqia është e rëndësishme që të identifikojnë instrumentet e duhur të praktikës ndërkombëtare dhe praktikat më të mira evropianë për të shkuar drejtë një zgjidhje. Ose do duhet të ketë një zgjidhje ku palët bien dakord dhe ky proces mbyllet, ose do duhet që në mungesë të kësaj zgjidhje ti referohen një tribunali ndërkombëtar.

Besoj se dhe praktika evropianë në këtë drejtim është e qartë dhe nuk ka arsye që nga një proces i nisur tanimë për mundësinë e pasjes së një marrëveshje të re, pala greke ta çonte procesin në një pikë të vdekur, në një drejtim krejt të kundërt. Është e vërtetë që është nënshkruar në 2009 kjo marrëveshje, por deri në 2013-2014 në Greqi ka qenë në krye të punëve të vendit e njëjta forcë politike që sapo ka marrë besimin e qytetarëve grek këto ditë. Pra, në kushtet kur kjo forcë politike nuk bëri një veprim të tillë në ato vite, do të ishte e dëmshme, e padrejtë, dhe nuk do ti shërbente klimës së procesit që ka vite që ka nisur mes dy vendeve tona”, ka deklaruar ish-ministri Bushati.