Bushati “vajton” Kotzias

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka reaguar pas dorëheqjes së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias.

Në një postim në Twitter, Bushati ka falënderuar homologun për bashkëpunimin, ndërsa e çmon si një nga momentet e gëzimit në këtë profesion.

“Ka pak gëzime në këtë profesion, por ato më të çmuarat rrjedhin nga bashkëpunimi i vërtetë dhe një frymë kolegjialiteti. Faleminderit Nikos Kotzias për përpjekjet tuaja në hapjen e përbashkët të një faqe të re të bashkëpunimit, besimit dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore midis vendeve tona”, shkruan Bushati në Twitter.

Dorëheqja e Kotziasit ka ardhur si rezultat i një konflikti të brendshëm, që nuk është i ri, por është kulmuar pas vizitës së fundit në SHBA të ministrit të Mbrojtjes, Panos Kamenos, njëkohësisht kreu i partisë aleate në qeveri.

Ky i fundit, që ka propozuar një marrëveshje ushtarake midis Greqisë dhe vendeve fqinje si mburojë ndaj Rusisë, në rast dështimi të miratimit të Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin e fqinjit verior të Greqisë, ka hedhur kritika ndaj ministrit të Jashtëm, Nikos Koztias. Kjo ka sjellë në mbledhjen e qeverisë një debat të ashpër midis dy ministrave dhe Alexis Tsipras ka ndarë përgjegjësitë në mënyrë të barabartë mes dy partnerëve.

Lër një koment