Bushi: Ndaj Anglisë do të vijnë tifozët, të shmangim gabimet individuale

Alban Bushi, trajneri i U-21, në konferencën për shtyp të radhës, ku shpalli listën për ndeshjen e radhës eliminatore ndaj Anglisë, foli për mungesat dhe risitë që ka në skuadër për këtë sfidë që do të zhvillohet të premten, më 15 nënor, në “Loro Boriçi”.

Prurjet e reja, cilësore: E dimë se cila është Anglia. Nëse me San Marinon futemi në fushë dhe sulmojmë, me Anglinë do të mundohemi të jemi të kujdesshëm dhe të shfrytëzojmë maksimalisht sulmet. Domi, Tuci dhe Ismailgeci vijnë për herë të parë, luajnë në ekipet e tyre dhe janë në formë për momentin. Kemi pasur probleme pasi kanë ikur Broja, Ndrecka dhe Bullari dhe në sulm jemi me gjysmë sulmuesi.

Prania e tifozëve: Tifozët duhet të vijnë të shohin Shqipërinë dhe jo Anglinë. Edhe kur kemi humbur kemi dhënë maksimumin për të nderuar flamurin dhe tifozët. Mendoj se në Shkodër tifozët do të vijnë, sepse kanë ardhur dhe kur nuk kanë qenë ndeshje kualifikuese.

Ndryshimet në formacion: Në ekipet kombëtare lojtarët shkojnë lart, rrallë herë poshtë. Kemi pasur probleme gjithnjë, një herë nga dëmtimet, më pas ikin sipër dhe më pas tek U 19. Lojtarët që janë thirrur janë mirë dhe nuk do të kemi probleme. Ndryshimi ka qenë problem Në ndeshjen me Austrinë  kemi ndryshuar tetë lojtarë. Anglia është ekipi i madh, por nuk duhet pasur frikë. Në ndeshje mund të ndodhin të gjitha. Kemi luajtur me Francën, Italinë dhe Spanjën dhe thuajse kemi luajtur të barabartë për ato synimet që ne kishim dhe golat i kemi pësuar prej gabimeve individuale. Nëse nuk bëjmë gabime dhe Anglia do ta ketë të vështirë.

Rada dhe Lakti: Rada është pjesa jonë, e dimë ku luan dhe si luan. Është datëlindja 2000, e perspektivës. Lakti është i mirë dhe është i grumbulluar me U-20, siç është edhe Çelhaka. E kisha në konsideratë po tek U-20 mund të marrë më shumë minuta. Kemi lojtarë që mund ta përballojnë më mirë se Lakti dhe Çelhaka.

Bushi lojtar kundër Anglisë: Mund të shënonim në fund dhe ndeshja shkonte 2-2. Nuk ka ekip të vogël, por ka grup. Këtë duam ta transmetojmë dhe kur jemi përballur vetë me të mëdhenj kemi qenë të barabartë, pavarësisht se kanë fituar në fund.

Skema e preferuar: Nuk kam një skemë të preferuar, varet nga lojtarët. Kur sulmon kundërshtari jemi në mbrojtje. Kemi marrë lojtarë nga Lazio si Ndrecka apo edhe Kalaj tani. Kalaj mund të bëhet i madh dhe të ndjekë hapat e Kumbullës. Kemi pasur raporte pozitive me Lazion. Me Florent Shehun nuk ka pasur bisedime.