Buxheti 2019, qeveria ‘harron’ arsimin, të fundit në Europë për investimet në këtë sektor

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi është shprehur sot se buxheti për arsimin në Shqipëri është në nivelin më të ulët të investimeve në Europë.

Në një deklaratë për mediat, deputeti Boçi tha se nuk ka asnjë përpjekje për të rikthyer në shkollë 134 mijë fëmijë dhe të rinj që kanë braktisur arsimin. Këtë vit u mbyllën rreth 228 shkolla të sistemit parauniversitar.

“Arsimi në mënyrë të përsëritur për 6 vite rresht mbetet sektori më i përçmuar, më i denigruar dhe më i lënë pas dore në qeverisjen e Edi Ramës. Buxheti për arsimin i këtij viti konfirmon se Shqipërinë ndër vendet e fundit në Europë për investimet në arsim. Ai zë vetëm 2.23% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që është dhe niveli më i ulët historik i financimit të arsimit që nga viti 2005. Premtimi i bujshëm i rritjes në 5% të këtij buxheti në raport me prodhimin e brendshëm bruto është hedhur në koshin e plehrave si shumë premtime të tjera të Edi Ramës. “-deklaroi Boçi.

Më tej, ai theksoi se ky nivel mizerabël financimi nuk siguron as arsim cilësor dhe as arsimim për të gjithë fëmijët e të rinjtë shqiptarë, duke i detyruar ata të paguajnë shumë para shtesë nga xhepat e tyre dhe buxhetet familjare.

“Buxheti 2019 nuk lehtëson problemet e shumta që lidhen me pozitën e mësuesit, me pagat dhe mbështetjen e tyre. Nuk zgjidh as problemet e nxënësve, të shkollave, të laboratorëve, të bibliotekave, të mjeteve didaktike, të klasave kolektive dhe të transportit. Në Buxhetin 2019 nuk ka asnjë perpjekje për të kthyer në shkollë 134 mijë fëmijët dhe të rinjtë që e kanë braktisur atë vitet e fundit. Sipas statistikave zyrtare, sivjet rezultojnë se janë mbyllur rreth 228 shkolla të sistemit parauniversitar.  Për arsimin e lartë dhe shkencën buxheti parashikon vetëm 70 milionë dollarë. Kjo përfaqëson vetëm 0,46 % PBB, ose më saktë rreth 1 dollar ne dite, për rreth 6 mije pedagoge dhe rreth 135 mije studente.”-u shpreh deputeti Boçi.

Gjithashtu ai e cilësoi këtë si një shumë qesharake dhe diskriminuese.

Sipas tij, akoma më skandaloze është pjesa që i dedikohet rinisë dhe sportit, ndërsa theksoi se vetëm 5 milionë dollarë gjithsej jep qeveria jonë, për pasurinë më të madhe njerëzore të një vendi, rininë.

Lër një koment