Buzëqesh Reja, sulmuesi zgjedh Shqipërinë përpara Kosovës

Më në fund ka një zgjedhje pozitive për kombëtaren shqiptare.

Sulmuesi me prejardhje nga Kosova, Florian Kamberi duket se ka vendosur përfundimisht se për cilën kombëtare do të luaj. 24 vjeçari i cili aktivizohet në Skoci me skuadrën e Hibernian, sipas “RTV Dukagjini”, ka zgjedhur që të përfaqësoj Shqipërinë.

Futbollisti shtatlart i cili njihet shumë pak në opinionin sportiv në vendin tonë më parë ka luajtur për moshat e Zvicrës U-20 dhe U-21. Para se të kalonte në Skoci tek Hibernian, sulmuesi 24 vjeçar ka luajtur me ekipet e Grashopper dhe Karlsruher.

Ftesa nga Kombëtarja shqiptare për sulmuesin pritet që të vijë, në sfidat e nëntorit. Kamberi mund të jetë një alternativë pasi në repartin ofensiv mund të mungojë sërish Armando Sadiku.