“Çanaku” i Beratit me teleskopë për vizitorët

Në Berat, qytetin e shpallur pasuri e UNESCO-s, duket se po nisin investimet serioze. Bëhet fjalë për projektin për vendosjen e teleskopëve dhe rehabilitimin e territorit në majën më të lartë të Kalasë.

Në lartesinë e Kalasë së Beratit ose e njohur ndër shekuj me emrin “Tabja e Kalasë” do të vendosen teleskopë. Kështu do u mundësohet turistëve të shijojnë nga lart panoramën e luginës së Osumit, dy lagjet muzeale të tij: “Mangalem” e “Goricë”. Por edhe dy malet: Tomorrin e Shilpiragun.

Eugen Kallfani, drejtor i monumenteve të kulturës, Berat thotë për AbcNews: “Janë ndërtuar barrierat arkitektonike të cilat mbrojnë turistët dhe rrezikshmëria në atë zonë. Do të vendoset shumë shpejt edhe teleskopi i cili do të lejojë edhe vizitueshmërinë dhe në lagjet muze dhe në pjesën e qytetit.”

Ky është investim i parë i këtij lloji për qytetin e mbrojtur nga UNESCO. Sipas zyrtarëve vendorë të kulturës, për Tabjen e Kalasë ose ndryshe për Kullën nr.14 dhe territorin përreth do hedhin lekë disa institucione private dhe shtetërore. Punime do të bëhen edhe në rrugën “Mihal Komeno”, tek “Xhamia Mbret” dhe deri tek hyrja e portës kryesore të kalasë së qytetit.

“Mbështetja e donatorëve ka qenë jashtëzakonisht e madhe dhe besoj se edhe në vitet në vji, ashtu siç edhe bashkëpunimi me Bashkinë e Beratit për të ndërhyrë pastaj me Bankën Botërore për rikonstruksionin e rrugës nga rrethrrotullimi pranë ish rezeravave të shtetit deri tek hyrja tek qafa e kalasë.”

Referuar statistikave, vitin e kaluar e vizituan kalanë e Beratit dhe Tabjen e saj 74 800 turistë. Kurse këtë vit numri shkoi në 123 500 turistë dhe deri në fund të muajit dhjetor shifra pritet të jetë 150 mijë turistë

Lër një koment