Çavusoglu: Turqia nuk dëshiron pengesa politike për anëtarësimin në BE

Turqia nuk dëshiron më shumë pengesa në rrugën drejt anëtarësimit në BE, tha ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu.

“Nëse është çështja për barriera teknike, ne jemi të gatshëm t’i përmbushim”, tha Çavuşoğlu gjatë konferencës së përbashkët për media me homologun e tij nga Letonia, Edgars Rinkevics, në kryeqytetin e vendit, Riga.

“Por anëtarësimi bazohet në kapituj. Dhe të gjithë ato kapituj kanë etapat e hapjes dhe të mbylljes dhe ne jemi të gatshëm të plotësojmë etapat e hapjes dhe etapat e mbylljes. Nëse Turqia nuk plotëson ndonjë etapë, asnjë kapitull nuk do të hapet apo asnjë kapitull nuk do të mbyllet”, tha Çavuşoğlu.

Turqia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1987 dhe negociatat filluan në vitin 2005.

Çavuşoğlu tha se disa vende anëtare kanë qenë kundër Turqisë që kur filluan negociatat me BE-në. “Për shkak se ata nuk duan të ndajnë fuqinë me Turqinë”.

Negociatat ngecën në vitin 2007 për shkak të kundërshtimit nga administrata e Qipros Greke, Gjermanisë dhe Francës.

Për sa i përket marrëveshjes me Rusinë për të blerë sistemin mbrojtës raketor S-400, Çavuşoğlu tha se Turqia ka nevojë për të pasur një sistem të tillë.

Duke folur për anëtarësimin e Turqisë në BE, Rinkevics tha se Letonia e konsideron Turqinë si një partner të rëndësishëm për BE-në dhe NATO-n dhe se është i nevojshëm dialogu konstruktiv mes BE-së dhe Turqisë./real-news.tv/