Çështja “Valdrin Pjetri”, PD me një tjetër kërkesë Prokurorisë

Partia Demokratike vijon insistimin e saj në lidhje me të gjitha procedurat që po ndiqen për ccështjen e Valdrin Pjetrit. Nëpërmjet një kërkese zyrtare PD i ka dërguar prokurorisë të dhënat konkrete që ajo publikoi një ditë më parë për dënimin e Valdrin Pjetrit për trafik droge në Itali.

Letra e dërguar mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, nëpërmjet së cilës i kërkohet organit të akuzës që ta mbajë të informuar mbi procedurat e verifikimit që ka nisur për Pjetrin dhe rezultatet e deri tanishme të këtij verifikimi.

“Për fat të keq, ky reagim nuk ka ardhur ende, duke zhbërë qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit. Sipas këtyre të dhënave rezulton se Valdrin Pjetri është i dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim. Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi është rreshtim në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike.”-thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi. /real-news.tv/