fbpx

Çfarë i lidh?/ Atentatori i familjes Çapja kapet në burg me telefonin e Jurgen Kurtit

Screenshot_2-24.png

I dënuar me 10 vite burg për atentatin ndaj Çapajve në Elbasan, Shkëlzen Hasanpapaj ka marrë edhe një tjetër dënim nga Gjykata e Tiranës, pasi është gjetur në qeli me telefon.

Hasanpapaj është dënuar me 8 muaj burgim, ndërsa duke iu referuar vendimit, ai nuk ka dhënë shpjegime në lidhje me posedimin e celularit të markës “Iphone 6S”.

Nga verifikimet e Prokurorisë, ka rezultuar se karta sim e celularit ishte në emrin e një shtetasi të quajtur Jurgen Kurti, i cili nga libri i takimeve në burgun “Mine Peza” nuk rezulton ta ketë takuar ndonjëherë Hasanpapajn.

Nuk dihet nëse Jurgen Kurti, i përmendur në vendimin e Gjykatës së Tiranës, është i njëjti person me Kurtin, i cili mbeti i vrarë në një atentat në Tiranë disa muaj më parë.

“Në datën 04.05.2019, gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve Tiranë, në IEVP nr. 302, Tiranë, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një telefon celular i markës ‘Iphone 6S’, me kartë të kompanisë telefonike ‘Vodafone’, në dhomën ku ndodhej i paraburgosur Shkëlzen Hasanpapaj.

Sipas përcaktimeve në ‘Rregulloren e përgjithshme të burgjeve’, ky send i sekuestruar nuk lejohet të mbahet nga të paraburgosurit apo të dënuarit në ambientet e brendshme të IEVP-së.

I pyetur në lidhje me faktin, i pandehuri Shkëlzen Hasanpapaj nuk ka dhënë shpjegime.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se numri telefonik celular, i cili është përdorur nga i pandehuri, është regjistruar në emër të shtetasit Jurgen Kurti, i cili sipas verifikimit të librit të takimeve në IEVP ‘Mine Peza’ Tiranë, nuk rezulton të ketë kryer takime me të pandehurin”, shkruhet në vendimin e Gjykatës.

DËNIMI NË ELBASAN 

Prokuroria e Elbasanit kishte kërkuar dënimin me 22 vite burg të Shkëlzen Hasanpapajt, por Gjykata e dënoi atë me 10 vite për ngjarjen e ndodhur në vitin 2016, në muajin qershor, ku sipas dosjes, autori kishte më shumë se një orë që i ruante shënjestrat e tij ulur në një lokal, përballë ish-maternitetit. Shkëlzen Hasanpapaj u arrestua në Holandë si autor i dyshuar i atentatit të ndodhur më 6 qershor në këtë qytet. 19-vjeçari u kap nga Policia holandeze pas urdhrit të arrestit të lëshuar nga Prokuroria për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

HETIMET 

Gjatë hetimeve për zbardhjen e atentatit, u gjetën disa objekte, të cilat çuan në identifikimin e autorit, mes së cilave një çantë kamuflazhi, arma e krimit, si edhe sende që dyshohet se janë përdorur nga autori.

Për të gjitha këto sende është kryer analiza e ADN-së, në bazë të së cilës është përftuar profil i njëjtë gjenetik, pasi rezultoi se gjurmët e ADN-së së gjakut, të gjetur në armën e krimit, ishin të njëjta me ato të gjetura në çantën e kamuflazhit, si edhe në sendet e tjera, të cilat gjendeshin në vendin nga ku është kryer atentati. Prokuroria ka siguruar gjithashtu të dhëna operative se autori i atentatit mund të ishte pikërisht Shkëlzen Hasanpapaj.

Për këtë arsye, është bërë kërkimi i këtij shtetasi, me qëllim për të realizuar krahasimin e mostrave të ADN-së të gjendur në vendngjarje me profilin gjenetik të këtij shtetasi. Por, Policia nuk arriti të gjente vendndodhjen e Hasanpapajt, pasi një ditë pas atentatit, ai u largua nga Shqipëria. Në këto rrethana, për të siguruar provat e nevojshme, nga ana e Prokurorisë së Elbasanit është urdhëruar ekspertiza e ADN-së për prindërit e të dyshuarit Hasanpapaj.

Nga ekspertiza rezultoi se ADN-ja e gjetur në vendin e ngjarjes lidhet me shtetasit Q. dhe A. Hasanpapaj (prindërit e të dyshuarit) në raportin “nënë-bir” dhe “babë-bir”. Gjithashtu është bërë analiza gjenetike e shtetasit S. Hasanpapaj (vëllai i të dyshuarit) dhe ka rezultuar se profili gjenetik i gjendur në vendngjarje nuk përputhet me atë të gjetur në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, Hasanpapaj nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën dhe ka kërkuar pafajësi në Gjykatë. /Panorama

 

 

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303