Çfarë paralajmëroi në të vërtetë Kotzias?!

Deklarata e djeshme e ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias, duhet të merret me seriozitetin e duhur.

Një ish ministër i Jashtëm që deklaron se strukturat të vendit të tij, sidomos ushtria, nuk njohin kufijtë e shtetit fqinj është pak ta quash skandaloze.

Kotzias ka rrëfyer për herë të parë për rolin e ushtrisë greke në çështjen Kacifa, duke theksuar se ushtria greke mohon të njohë kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe se disa forca në Greqi mbështeten në autonominë e Vorio Epirit.

“Ka shume organizma ne vendin tone qe thonë se nuk ka mbaruar Lufta e Dyte Botërore me Shqipërinë dhe nuk njohin kufijtë me Shqipërinë. Shoh të hapet sërish çështja e Vorio Epirit. Çfarë kontrolli demokratik ka mbi këto organizma? Nëse ka ndonjë kontroll nga ushtria? Duhet të shohim përse ushtria greke mohon të njohë kufijtë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ka forca të caktuara në Greqi të cilat nuk njohin Protokollin e Firences të vitit 1925, protokollin e Parisit të vitit 1926, Traktatin e Helsinkit dhe i referohen protokolleve të vitit 1913 – 1914, siç është ai i Korfuzit, i cili nuk është më në fuqi. Protokolli i Korfuzit parashikon autonominë e Vorio-Epirit. Disa organizma të caktuara i referohen këtij protokolli.  Ushtria greke duhet të bëjë veprime të caktuara që të mbyllet çështja e kufirit. Do ta diskutojmë në parlament nëse është me vullnetin e drejtuesve të ushtrisë apo jo”, deklaroi ai.

Shqipëria dhe Greqia janë dy vende anëtare të NATO-s, që praktikisht i bie të jetë ushtarakisht aleate. Por jo, në vendin fqinj na konsideron ende armiq, një vend në gjendje lufte, madje as më pak dhe as më shumë por nga forcat ushtarake dhe struktura të tjera të rëndësishme.

Kjo deklaratë e Kotzias tregon se sa të kujdesshëm duhet të jetë shteti shqiptar në marrëdhënien me fqinjin tonë jugor. Se si heqja e ligjit të luftës do të duhet të jetë emergjencë. Gjëja e parë që Greqia duhet të bëjë për të treguar se e ka seriozisht çështjen e marrëdhënieve miqësore me Shqipërinë.

Kotzias, mbase pa dashje, na tregoi dje se në çfarë lloj situate ndodhet vendi i tij. Një vend i rrezikshëm, në mes të Europës, ushtria e të cilit jeton me ëndrrat e paqena të së shkuarës dhe rrezikon të destabilizojë Ballkanin dhe Evropën mbarë.

Shteti shqiptar duhet të kërkojë llogari për këto deklarata. Nuk janë deklarata të një politikani të zakonshëm, por bash ish-ministri i Punëve të Jashtme i deri para pak javëve. Edhe Bashkimi Evropian apo NATO nuk mund të rrinë duarkryq në këtë situatë.

Në gjirin e tyre kanë një vend anëtar për të cilin akoma nuk ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore.

Lër një koment