Çfarë po fshihet në krimin e Durrësit? Spartak Ngjela deklaratë të fortë

Avokati i njohur Spartak Ngjela deklaron se Prokurori i ri i Përgjithshëm duhet ta dijë që, nëse e realizon hetimin e imët të krimit të madh shtetëror me mafien e ndërtimit në Durrës dhe Tiranë, i ka bërë Shqipërisë shërbimin më të madh në njëqind vjet.

Ndër të tjera, Ngjela i bën edhe 7 pyetje esenciale Çelës lidhur me situatën post-tërmetit dhe përgjegjësit.

Më shumë nga shkrimi i Spartak Ngjelës:

Çfarë po fshihet në krimin e Durrësit?

Nga shqetësimi i kryeministrit shqiptar, dhe nga gënjeshtrat e tij për historinë e pallateve të rrëzuar kuptohet se ai, vetë ose familjarisht, është i përfshirë në këtë krim të madh.

Por, të shqetësuar janë gjithashtu edhe Saliu, Meta dhe Basha, kuptohet që janë të përfshirë në pallatet e rrëzuar.

Kjo është gjendja e krimit, prandaj Rama është lëshuar si i çmendur për të zhdukur gjurmët. Po prokurorët, do të shiten apo do të tremben në këtë rast hetimor? Kjo do të varet nga forca që do të tregojë Prokurori i Përgjithshëm.

Në çdo hetim ngrihen pyetjet thelbësore ku duhet të mbështetet zbulimi i së vërtetës.

Në lidhje ne këtë çështje hetimore që ka filluar nga prokuroria, pyetjet që unë i ngre Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorëve të hetimit janë këto:

Sa pallate iu janë rrëzuar shitësve familjarë të Ramës, Berishës dhe Metës në Plazhin e Durrësit?

Ku është gjetur pronësia mbi truallin në bregdet, dhe, si e ka historinë kjo pronësi në breg të detit, kur dihet se bregdeti ka qenë tokë shtetërore absolute?

Kur është shitur bregdeti, nga cili kryeministër, dhe si?

Cilat janë firmat e ndërtimit dhe pronarët e parë të pallateve të rrëzuar?

Çfarë lidhje kanë këto firma ndërtimi me kryeministrat Berisha, Rama dhe Meta?

Nga sa apartamente kanë disponuar familjarët e Ramës, Berishës dhe Metës në pallatet e rrëzuar, por edhe në ata që nuk janë rrëzuar nga tërmeti i 26 nëntorit?

Sa janë përfshirë gratë dhe fëmijët e kryeministrave në tregun e ndërtimit në plazhin e Durrësit, dhe si?

Zoti Prokuror i Përgjithshëm; këto janë pyetjet që ngrenë shqiptarët sot. Çfarë mendoni për këto pyetje, a do të marrin një përgjigje që t’i qëndrojë të vërtetës?

Zoti Prokuror i Përgjithshëm; ju mendoni se unë po pyes kot?

Jo, unë nuk pyes kot, dhe i ngre këto pyetje që t’i hetojë edhe gazetaria.

Edhe gazetarët, televizionet dhe gazetat që do t’i japin me fakte përgjigjet e pyetjeve të më sipërme, do të lançohen në historinë e shpejtë të Shqipërisë. Të tjerat medie që do t’i fshehin, sigurisht që do të ndëshkohen bashkë me të inkriminuarit në këtë krim shtetëror.

Krimi i bashkëpunimit korruptiv të politikës së lartë me mafien e ndërtimit, duhet të hetohet domosdoshmërisht; kjo është kërkesë imperative e kësaj kohe historike.