Çfarë po ndodh me marrëveshjen bërthamore? Irani ka rritur pasurimin e uraniumit më shumë se në vitin 2015

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka njoftuar se Irani është duke rritur pasurimin e uraniumit më shumë se në vitin 2015, vit kur ka nënshkruar marrëveshjen bërthamore me fuqitë botërore.

Marrëveshja parashikonte kufizimin e aktivitetit bërthamor nga Irani, në këmbim të lirimit nga sanksionet por Rohani tha se nuk do të zbatojë kërkesat.

“Presioni është rritur ndaj Iranit, megjithatë ne po vazhdojmë”, ka thënë Rohani në një fjalim televiziv.

Irani ka tejkaluar normat e përcaktuara për rezerva të ujit të rëndë dhe uraniumit të lejuar, si dhe për numrin e centrifugave që i duhen për pasurim të uraniumit, në përgjigje të fushatës me sanksione të Shteteve të Bashkuara, pasi SHBA u largua nga marrëveshja bërthamore më 2018.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha asokohe se dëshiron të negociojë një marrëveshje të re që mund të ndalojë vërtetë aktivitetin e programit bërthamor dhe kufizimin e programit të raketave balistike të Teheranit.

Tensionet mes SHBA dhe Iranit janë rritur edhe më shumë pasi Trump urdhëroi vrasjen e gjeneralit iranian.