Çfarë u gjet në banesën e Rrajës? Pas kontrollit, ai u ndalua në…

Redjan Rraja është personi i parë që arrestohet nga Policia në lidhje me atentatin e së premtes te Mbikalimi i Shkozetit, ku mbetën të plagosur prokurori Ndoja, miku i tij Aleksandër Laho apo i njohur me pseudonimin “Rrumi”, si dhe shoferi i prokurorit, Andi Maloku.

Rraja, ish-stomatolog i Burgut të Fushë-Krujës, që rezulton i pajisur edhe me dokumente kanadeze, është ndaluar në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria. Burimet thanë se fillimisht është bërë një kontroll i banesës së tij në Nikël të Fushë-Krujës, me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, më pas ai është ndaluar në Portin e Durrësit.

Pasi është mbajtur disa orë i shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e tij, si një nga autorët e dyshuar të atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja.

Ndërkohë, burime të rezervuara nga grupi hetimor thanë dje se janë identifikuar edhe dy persona të tjerë, me origjinë nga veriu i vendit, si të dyshuar për përfshirjen në ngjarje.

Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi procedimin penal nr. 244/2019, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, “Vrasja kundër dy ose më shumë personave”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.