Çifti që humbi hotelin nga tërmeti / Gruaja nën hetim, burri i pandehur se kolaudoi ‘përbindëshin’ në Durrës

1575577236_PALMAKAMELIA.jpg

Hotel “Vila Palma” në Golem, një objekt në pronësi të inxhinierit kolaudues Arben Qato dhe shefes së Urbanistikës në Kavajë, Dëshira Qato, u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit, duke lënë nën rrënoja të moshuarin Sadik Qato, babai i pronarit të hotelit. Nëse tërmeti do kishte rënë dy ditë para, pra në 24, pikërisht në këtë hotel, nuk do kishte vetëm një viktimë siç ndodhi, por më shumë njerëz nën rrënoja. Kjo pasi hoteli, dy ditë para ishte i mbushur me turistë nga Çekia.

Një pronar hoteli shumë pranë “Vila Palma” në Golem, tha për “Shqiptarja.com” se: “…dy ditë pasi të rrëzohej objekti, ky hotel ishte i mbushur nga një grup turistësh çekë…nëse turistët çekë, do ishin në këtë hotel, aty do shënohej tragjedia më e madhe…”.

Pikërisht në këtë hotel të ndërtuar në tokë ranore humbi jetën babai i pronarit të hotelit, Sadik Qato, dhe shpëtoi i gjallë nga rrënojat djali i çiftit Qato, Klajdi Qato.

Hoteli Vila PALMA i shembur nga tërmeti

Por teksa sot, pas tragjedisë së tërmetir, prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet, rezulton se ky hotel kishte dy kate shtesë, nga 6 kate që kishte marrë lejen nga ish-komuna e Rrashbullit. Objekti është kolauduar nga vetë pronari i “Vila Palma” Arben Qato, kolaudim i cili i ka hapur rrugë ndërtimit edhe të dy kateve shtesë, duke mbingarkuar kolonat e godinës me mbipeshë. Për këtë çështje shumë shpejt Qato dhe bashkëshortja e tij Dëshira, do të thirren në prokurorinë e Durrësit për të dhënë shpjegime.

Por kjo nuk është çështja e parë që ngrihet për ndërtimet ndaj çiftit Qato, pasi momentalisht në prokurorinë e Kavajës, ka të hapur një dosje penale për Dëshira Qato shefe Urbanistike në Kavajë, ish-kryebashkiakun Isa Sakja dhe dhe Dritan Kazazin, të cilët janë në hetim për “Shpërdorim detyre”, për dhënien e 7 lejeve ndërtimore në bregdetin e Kavajës.

Kallëzimi ndaj tre personave të mësipërm është kryer një vit më parë nga drejtoresha e IKMT-së Dallëndyshe Bici, pasi inspektorët e institucionit që ajo drejton kanë kryer verifikimet në terren.

Nga ana tjetër bashkëshorti i Dëshirës, Arbeni, i cili në këtë tragjedi humbi babain e tij Sadikun, është personi që ka kryer kolaudimin e pjesës më të madhe të banesave të ndërtuara në zonën e Plazhit, Golemit dhe në Kavajë.

“Shqiptarja.com” mëson se për kolaudimet fiktive dhe jo reale, Arben Qato në muajin korrik 2019 është marrë i pandehur nga prokuroria e Durrësit, e cila ka ngritur akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Qato në cilësinë e inxhinierit kolaudues, ka kryer kolaudimin e pallatit “përbindësh” në Golem që quhet kompleksi “Kamelia”, që solli shumëfishimin e kateve. Sipas prokurorisë ky kolaudim është kryer në muajin Maj 2012, duke shkelur të gjitha rregullat e urbanistikës dhe pa pasur asnjë dokumentacion konkret për objektin ekzistues. Në këtë çështje penale veç Arben Qatos i pandehur për “Ndërtim pa lejë” është marrë dhe pronari i “përbindëshit” “Kamelia” Enver Shala, e bashkë me të dhe inxhinierët Hysen Gashi, Merita Zeqaj,Valentin Stanaj, Alketa Blakaj dhe shoqëria “Universal Engineering 08″shpk.

Akt koalidimi i kompleksit Kamelia

 

Hotel Kamelia në 2007-ën

 

Hotel Kamelia 2018

E ndërsa për Dëshira Qato në Kavajë vijojnë hetimet, për burrin e saj dhe personat e mësipërm dosja ka mbërritur në dyert e gjykatës së Durrësit, ku gjyqtare paraprake është Eda Kaja.

Një burim pranë prokurorisë së Durrësit tha për “Shqiptarja.com” se: “…në datën 3 dhjetor 2019 ishte parashikuar të merrej vendimi për kalimin ose jo në gjykim themeli të kësaj dosje, por për shkak të pezullimit të gjyqeve si pasojë e gjendjes së tërmetit, edhe ky gjykim nuk u zhvillua…”.

Por ky nuk është rasti i vetëm ku Arben Qato, është kapur me shkelje të rënda gjatë kolaudimit të ndërtimeve publike dhe private. Në një raport auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit që “Shqiptarja.com” e disponon, evidentohen shkelje të Arben Qatos në kolaudimin e punimeve për “Rikonstruksion i Bulevardit Kryesor Dyrrah”. Punimet janë kryer nga një kompani private e quajtur “Eurondërtim 2000”, e cila megjithëse nuk kishte përfunduar ende punën dhe duhet të shpenzonte e shumën financiare prej 7,077,355 lekë të reja,ato janë kolauduar nga inxhinieri Arben Qato, duke e cilësuar si të përfunduar ndërtimin. Ndërkohë shuma prej 70 milion lekë të vjetra nuk dihet se ku përfundoi. Kjo shkelje është kapur nga audituesit e KLSH, të cilët kanë rekomanduar pranë INUV bashkia Durrës, që kolauduesi Qato të gjobitet me vlerën 5 milion lekë të vjetra.

“Rekomandojmë që kolauduesi Arben Qato të gjobitet me 500.000 lekë, pasi nga mos kontrolli i punimeve me pasojë shkaktimin e dëmit ekonomik Bashkisë Durrës në vlerën 7,077,355 lekë e cila përfaqëson pagesa të përfituara për punë të pakryer…”-thuhet në raportin e hartuar nga kryesuesi i grupit të auditimit Selfo Zeneli.

Mirëpo kjo masë administrative me gjobë 5 milion lekë të vjetra, është kundërshtuar nga Arben Qato në gjykatën Administrative Durrës, ku ka arritur të anulojë gjobën e INUV bashkia Durrës të vendosur në datën 29 korrik 2014. Por ky vendim është apeluar nga INUV bashkia Durrës, në gjykatën e Apelit Administrativ. Trupa gjyqësore e kësaj gjykate e përbërë nga gjyqtarët Kastriot Selita, Blerina Kondi, Altina Nasufi me të drejtë ka vendosur të ndryshojë vendimin e shkallës së parë dhe të lerë në fuqi vendimin për gjobitjen me 5 milion lekë të vjetra të Arben Qato nga INUV bashkia Durrës.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303